Vendosni fjalën kyçe....

Basha pas kthimit nga Gjermania: Do bëjmë gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën


Në bashkëbisedimin e tij me gazetarët pas kthimit nga Gjermania, Basha vuri në dukje se kërkesa e Partive Popullore Europiane për Shqipërinë ishte hartimi e miratimi i reformës zgjedhore.

Kryedemokrati tha se PPE kishte vënë theksin te ngritja e funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, që duhet të shprehet në mënyrë të prerë për sa i përket procesit të 30 qershorit si dhe funksionimi i SPAK-t e BKH-së.

Lidhur me propozimin e presidentit Meta për referendum, Basha tha se e mbështeste këtë gjë, që bënte pjesë te një nga pesë pikat e platformës së opozitës.

‘E mbështesim idenë e Referendumit. Është një nga pesë pikat e platformës sonë. Prej fillimit të shtatorit, në platformën e opozitës së bashkuar, një ndër çështjet kryesore është ajo e referendumit, pra e demokracisë direkte. Është çështje për të cilën unë personalisht jam organizuar prej 2 vitesh e gjysmë dhe patjetër që jemi në mbështetje të referendumit si një mekanizëm i demokracisë direkte’, tha Basha.

Basha komentoi më tej edhe deklaratat e kryeministrit Rama për një projektligj të propozuar prej tij kundër gjykatësve, prokurorëve e zyrtarëve të korruptuar duke thënë se kjo është një përpjekje e kreut të qeverisë për të dubluar institucionet kryesore të reformës në drejtësi siç janë SPAK-u e BKH-ja.

‘Tentativat për të kapur Gjykatën Kushtetuese apo përmendja e nismave skandaloze për ndryshime kushtetuese për t’i dhënë një partie, që po rri paligjshmërisht në pushtet me ndihmën e bandave kriminale, kompetencën e insitucioneve të tjera kushtetuese, vërtetojnë faktin se për pushtet Edi Rama është gati të bëjë gjithçka. Ne do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur demokracinë e vendit. Në fillim të dhjetorit do të kemi gati propozimet ligjore për reformën zgjedhore, të cilat do të shpallen edhe publikisht. Ne nuk do të pranojmë zvarritjen e reformës zgjedhore si një alibi të Edi Ramës, por do ta miratojmë sa më shpejt, mundësisht, brenda këtij viti, për t’i hapur rrugë menjëherë zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë artikuluar si kusht për negociatat dhe si rruga e daljes së vendit nga kriza’, shtoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *