Vendosni fjalën kyçe....

Partizani-Laçi do jetë sfida eksperimentale e VAR në Superiore


Takimi i nesërm mes Partizanit dhe Laçit do të jetë edhe si një ndeshje eksperimentale për futjen e teknologjisë në Kategorinë Superiore. Pak ditë më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se nga sezoni 2021-2022 teknologjia VAR do të përdoret edhe në Superiore. Njëkohësisht ka nisur edhe trajnimi i disa arbitrave shqiptarë që mbajnë stemën e FIFA-s për të përvetësuar sistemin e ri.

Nesër në një nga dhomat e stadiumit “Elbasan Arena” do të përshtatet për instalimin e mjeteve për eksperimentimin e teknologjisë VAR. Në këtë dhomë do të jenë të pranishëm arbitra të FIFA-s, që do të mbikëqyren nga shefat e sektorit të arbitrimit, raporton Panorama Sport.

Kompania televizive që transmeton Superioren është e detyruar që të ketë kamera shtesë në këtë takim, të cilat do të jenë në ndihmë të arbitrave të dhomës së VAR-it. Ky do të jetë thjesht një testim për gjyqtarët që do të marrin pjesë në këtë eksperiment të parë, por jo se do të ndërhyjnë tek arbitri kryesor, që është në fushë.

Duke analizuar momentet e ndeshjes, arbitrat do të instruktohen se kur ata duhet të ndërhyjnë dhe të njoftojnë kryesorin për ndihmën e VAR-it. Përmirësimi i infrastrukturës së stadiumeve shqiptare është një faktor pozitiv dhe përshpejtues në futjen e teknologjisë edhe në Kategorinë Superiore.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *