Blog-Autor: Adriatik Lapaj
Po lexoja kritikat dhe aludimet për të nderuarin Elvis Naçi. Që në krye të herës dua të theksoj se Elvisin as e njoh, as e kam takuar e as i shkoj në xhami.
Po i them dy fjalë si qytetar në këtë rast.
E para, nëse dikush pret që një njeri i cili angazhohet për bamirësi t’i bëjë bamirësitë me lekët e veta nga fillimi në fund nuk është objektiv. Aq më shumë kur subjekti nuk njihet si sipërmarrës apo manjat pasurish. Bamirësia është të japësh atë që mundesh e nëse nuk mundesh, të organizosh e motivosh shumë nga ata që munden. Askush nuk mundet vetëm ta mposhtë varfërinë dhe vuajtjen.
E dyta, pretendohet se bamirësia nuk duhet treguar e as duhet bërë publike. Kjo është naivitet. Nuk publikohet për famë bamirësia or miq, por për të thërritur sa më shumë te halli e për ta zgjidhur hallin. Nëse dikush fiton popullaritet nga kjo, bujrum bëjeni, bujrum ta bëjmë të gjithë. Nëse dikush kërkon vëmendje për gjëra të mira, unë them t’ia japim me të dy duart.
E treta, pretendohet se ku i gjen lekët zotëria në fjalë. Google-ova pak dhe konstatova se ka të regjistruar sipas ligjit një fondacion dhe online llogari të hapur në “gofundme”. E njoh mirë ligjin dhe veprimtaria e fondacioneve është qartësisht e rregulluar mirë dhe skanohet nga tatimet. Nga praktika kam njohur dhe platformën “gofundme” kur nisa mbledhjen e kontributeve për Nismën “Dhuro një lule për Sarandën” dhe ju them se kjo platformë nuk hapet dot në Shqipëri, por hapet jashtë në vendet ku nuk ka asnjë mundësi të bësh dëngla, madje si platformë është online dhe mund të verifikohet çdo derdhje që bëhet nga kushdo mjafton të ketë internet.
E katërta, konstatoj se i përmendet fakti që është Imam. Referuar nenit 24 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, lirija e besimit është e garantuar. Në sytë e mi, ai përfaqëson modelin liberal dhe modern të Islamit. Shikojeni si vishet, si flet. Në ligjëratat e tij fjala atdhe zë peshë të madhe.
E pesta, popullariteti i tij e tremb parinë e Tiranës. Po pse? Nga buron popullariteti i tij? Ai fjalën ka. Ai nuk ka pushtet shtetëror. Ai ka fjalën, pasionin dhe përkushtimin ndaj të pamundurit. Bujrum merrjani skenën. U japim 5 000 000 000 Euro në vit dhe ju trembeni nga një Imam që ka veç fjalën?! Ku shkojnë taksat tona? Pse duhet të kishte nevojë për Elvisin populli aq sa ta ndjekë në numra të habitshëm? Do të thotë që diçka nuk ka shkuar mirë në ekonomi, në skemat e ndihmës sociale, në rishpërndarjen e pasurisë në vend.
E gjashta, lexova se fondacioni që drejton Elvisi ka blerë një spital. E trajtonin sikur e ka blerë ky për vete. O Zot sa keqdashje dhe dezinformim! Ligji jonë është shumë i qartë, madje edhe i mirë. Ligji e përcakton qartë se si kryhet veprimtaria ekonomike e një fondacioni dhe se si pronat e tij kurrë nuk janë prona të individëve privatë, madje ndalohet qartë dhe rreptësishtë ndarja e çdo fitimi nga veprimtaria ekonomike e fondacionit. Nëse një fondacion ka blerë një spital, lajm i mirë për qytetarët pasi do kenë një vend ku nuk do duhet të paguajnë për majmjen e dikujt, por për ilaçet dhe nevojën e dikujt tjetër.
E shtata, a e dini që Kisha Autoqefale e Shqipërisë ka një spital? Është fantastik. Unë kam shkuar aty, kam marrë shërbim model. Madje kisha ka dhe Hidrocentral në pronësi dhe mendoj se edhe kjo është fantastike pasi gjeneron të ardhura me të cilat financon spitalin. Mos e shikoni klerin si problem, sa kohë ofrojnë mirësi. Shikoni problem ata që lekët tona i bëjnë rrush e kumbulla e nuk na lënë rrugë tjetër veç të bezdisim të madhin Zot edhe për bukën e përditshme apo ilaçin që nuk e blejmë dot. Unë nuk pres që hoxha dhe prifti të na bëjnë mrekulli me këndim, por e vlerësoj shumë çdo klerik që ndërton shkolla dhe spitale. Madje vlerësoj shumë çdo njeri që ndërton shkolla, spitale apo jep edhe pak minuta nga jeta e vetë për të tjerët.
P.s nëse Elvisi shkel ligjin, kallzojeni në prokurori, por jo konspiracion për këdo bën gjëra apo përpiqet. Ne jemi njerëz, askush nuk është perfekt, por është e tepërt të hamendësosh se dikush që bën mirë është i keq, ndërkohë ata që bëjnë keq i mbajmë si burra të mirë me pushtet.