Së paku 36 persona kanë vdekur nga rrëshqitjet e dheut që u shkaktuan nga reshjet e mëdha të shiut në rajonin West Pojot të Kenias.
Mijëra banorë janë detyruar të zhvendosen dhe disa fshatra janë mbuluar nga uji dhe dheu pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe rrëshqitjes së dheut.
Samule Poghisio, senator i këtij rajoni, tha: “Mund të konfirmojmë se numri i personave të vdekur ka shkuar në 36. Disa njerëz, për të cilët mendonim se kanë humbur, janë gjetur të vdekur”.
Sipas guvernatorit të rajonit West Pokot, 11 nga 36 viktimat e motit të lig banonin në të njëjtën shtëpi, duke shtuar: “Shumë njerëz janë të izoluar dhe i tërë fshati është në rrezik nga zhdukja për shkak të vërshimeve”.
Autoritetet i kanë angazhuar ushtrinë dhe policinë, pjesëtarët e të cilave kanë shkuar me helikopterë në zonat e prekura nga vërshimet.
Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta, shprehu ngushëllime për familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave dhe uroi që personat e lënduar të shërohen sa më shpejt.
Ndihmë në këtë gjendje të rëndë ka ofruar edhe Kryqi i Kuq, i cili i ka dërguar ekipet e kërkim-shpëtimit në zonat e vërshimeve, shkruan “Independent”