Në një sallë të ndriçuar pjesshëm, me efekte të shumta drite, me sfonde zanore e me ekranë dixhitalë, Rama u shfaq në një One-Man Show.
Ai u rrek të shpjegojë qeverisjen e tij, ekonominë, reformën në drejtësi dhe nismat e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar e korrupsionin nëpërmjet paketës së emërtuar prej tij KÇK (Kap Çfarë të Kapësh).
Pasi u shfajësua për qeverisjen e tij duke ia ngarkuar përgjegjësinë opozitës, gjykatësve e prokurorëve të korruptuar për situatën në të cilën ndodhet vendi politikisht, ekonomikisht e për sa i përket drejtësisë, ai vijoi me prezantimin e paketës.
Ai përsëriti veten duke thënë të njëjtat gjëra që i kishte thënë edhe më parë në jo pak raste termin KÇK, duke e lidhur të gjithën me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe një personi tjetër me precedent penal.
Në disa fragmente Rama pohoi disa problematika të qeverisjes së tij, por i gjithë monologu i tij u drejtua kundër opozitës e kundër gjykatësve e prokurorëve.
Ajo që nuk tha Rama ishte deklaratat për korrupsionin e administratës së tij, i theksuar në shumë raste nga institucionet ndërkombëtare. Koncesionet e PPP-të e firmosura prej tij, të cilat janë kritikuar në jo pak raste nga FMN-ja, Banka Botërore e institucione të tjera financiare.
Përpjekjet e qeverisjes së tij për të vënë nën kontroll mediat online nëpërmjet AMA-s e AKEP-it, problematikat me procesin e vettingut, shkeljet e rënda financiare të administratës së tij, të kapura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Me ecejaken e tij nëpër sallën e mbushur, teksa fliste me gjestikulacione të shumta, Rama të ngjason më shume me Tim Cook, Jack Ma apo Elon Musk që prezantojnë mallrat e prodhuara nga kompanitë e tyre. /Hashtag.al