Ashtu siç kishte paralajmëruar, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës po proteston para hyrjes së minierës së Albchrome për shkak të largimit nga puna të kreut të kësaj sindikate Elton Debreshi.
Minatorët kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të Debreshit në punë si dhe ndaljen e presioneve ndaj drejtuesve të tjerë të saj.
Minatorët të cilët kanë bojkotuar sot punën, ankohen se trajtimi i tyre brenda ambjenteve të punës është skllavërues pasi punojnë nën presion të vazhdueshëm.
“Ne besoj se të gjithë që jemi këtu jemi prindër e kemi fëmijë. Fëmijët e atyre shkollohen nëpër shkolla private ndërsa ne nuk kemi lekë. I gënjejmë fëmijët me 200 lekë se nuk kemi çfarë t’i japim më. 200 lekë të vjetra, ndërsa fëmijët e tyre nuk dinë se sa kanë numrin në llogarinë e tyre bankare e bëjnë jetë luksi, janë në shkolla private e të tjera e të tjera. Ne duhet t’i bashkohemi kësaj pjese, sepse edhe ata të njëjtin fat kanë.”– tha Debreshi.
Kujtojmë se kompania “Albchrome” e biznesmenit Samir Mane, shkarkoi nga puna kryetarin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës Elton Debreshi, vetëm pak ditë pas themelimit të kësaj sindikate. Kjo sindikatë akuzon kompaninë dhe drejtuesit e saj se po i ushtrojnë presion dhe po i ndëshkojnë të gjithë ata që po bëhen pjesë e kësaj sindikate, me qëllim për t’i penguar të kërkojnë të drejtat e tyre, si paga më të mira dhe kushte më të mira pune./Hashtag.al