Më shumë se 60 mjekë kanë shkruar një letër të hapur duke thënë se ata kanë frikë se shëndeti i Julian Assange është aq i keq sa që mund të vdesë brenda burgut britanik të sigurisë së lartë.
48-vjeçari australian ende po lufton kundër përpjekjeve të SHBA-së për ta ekstraduar atë nga Britania, me akuzat e ngritura në bazë të Ligjit të Spiunazhit që mund t’i japë atij një dënim deri në 175 vjet.
Në letrën drejtuar ministres së Brendshme Priti Patel, mjekët kërkuan që Assange të transferohej nga burgu i Belmarsh në një spital universitar.
Ata e bazuan vlerësimin e tyre në deklarimet e dëshmitarëve okularë.
Eksperti i pavarur i të drejtave të OKB-së tha se “ekspozimi i vazhdueshëm i Assange ndaj arbitraritetit dhe abuzimit mund të përfundojë së shpejti duke i kushtuar jetën”.
Assange përdori “WikiLeaks” për të botuar dokumente të klasifikuara ushtarake dhe diplomatike në 2010-ën, në lidhje me fushatat e bombardimeve të SHBA-së në Afganistan dhe Irak që rezultuan tejet të sikletshme për Washingtonin.
“Ne e shkruajmë këtë letër të hapur, si mjekë, për të shprehur shqetësimet tona serioze për shëndetin fizik dhe mendor të Julian Assange”– thanë mjekët në letrën e tyre të gjatë 16 faqe, citon The Guardian.
Sipas mjekëve, Assange ka nevojë për një vlerësim urgjent të ekspertëve mjekësor, si për gjendjen e tij fizike ashtu edhe atë psikologjike.
“Sikur të mos bëhet një vlerësim dhe trajtim i tillë urgjent, ne kemi shqetësime në lidhje me provat e disponueshme, që z. Assange mund të vdesë në burg. Situata mjekësore është aq urgjente. Nuk ka kohë për të humbur. “- thotë grupi i mjekëve nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Britania, Suedia, Italia, Gjermania, Sri Lanka, Polonia.
Në paraqitjen e tij të parë në publik pas gjashtë muajsh, në seancën gjyqësore të mbajtur muajin e kaluar, Assange dukej i dobët.
Ai u shfaq i hutuar sa herë që i kërkohej të fliste dhe dukej sikur kishte vështirësi të rikujtonte datën e lindjes.
Madje në fund të seancës i tha gjykatëses se ai nuk e kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur në gjykatë.
Ai gjithashtu u ankua për kushtet në të cilat po mbahej në Belmarsh.