Kryeministri Edi Rama edhe njëherë tjetër ka sulmuar presidentin e vendit Ilir Meta, për shkak të deklaratave të këtij të fundit kundër disa diplomatëve të huaj në vendin tonë.
Rama e konsideron të turpshëm qëndrimin e presidentit të Republikës, i cili sulmon dhe akuzon diplomatët e huaj. Rama u shpreh i shqetësuar për shkeljen e një prej rregullave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, nga ana e presidentit.
“E turpshme për ne, e turpshme për të si president i Republikës. Ajo që ai bën, ndaj përfaqësuesve të vendeve partnere në Shqipëri është jo vetëm e turpshme për të gjithë ne, është jo vetëm në kundërshtim me konventën e Vjenës që mbron integritetin dhe dinjitetin e çdo diplomati që është përgjegjësi e shtetit ku është por është e turpshme për paraardhësit tanë që kur është shkruar Kanuni që ‘shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut. Turp turp turp
Sidoqoftë ne jemi të qartë në rrugën tonë dhe do jemi në një linjë me SHBA dhe BE, jo sepse na e kërkojnë ata por sepse ne e bëjmë për shtetbërjen këtu dhe gjeneratat e tjera, sepse kjo është rruga e duhur, që e çon vendin tonë në një nivel si ai që e shohim me admirim nga larg.”– tha Rama.
Këto deklarata Rama i bëri në një sallë të ndriçuar pjesshëm, me efekte të shumta drite, me sfonde zanore e me ekranë dixhitalë, ku prezantoi paketën e emërtuar prej tij si Paketa Anti-KÇK (Kap Çfarë të Kapësh).