Në qytetin brazilian të Rio de Janeiros kanë shpërthyer trazirat, kur policia u përball me tifozët e futbollit të cilët kishin dalë për të festuar fitoren e ekipit të tyre në turneun më të madh rajonal të Amerikës së Jugut.
Turma të mëdha dolën në qendrën e qytetit të dielën për të mirëpritur lojtarët e skuadrës Flamengo pas fitores së tyre në Copa Libertadores, shkruan BBC.
Por drejt fundit të festimeve shpërthyen përleshjet. Tifozët hodhën gurë dhe shishe drejt policisë, që u përgjigj me gaz lotsjellës.
Disa policë u panë duke përdorur shkop kundër tifozëve.Më herët dhjetëra mijëra njerëz të veshur kuqezi kishin mbushur rrugët për të mirëpritur lojtarët e tyre që mposhtën River Plate të Argjentinës 2-1 në finalen e kupës në Peru.
Automjeti që transportonte ekipin ishte i rrethuar nga roje sigurie ndërsa dilte ngadalë nëpër rrugët e mbushura. Nuk ishte e qartë se çfarë shkaktoi dhunën.