Vendosni fjalën kyçe....

Tërmeti shkakton emergjencë kombëtare, nevojë për të rishikuar buxhetin (Një pjesë shkon për koncesionet)


Më zbardhjen e dritës po bëhen gjithnjë e më të qarta pasojat e tërmetit shkatërrues që ra rreth ores 3 të mengjesit të sotëm. Pallate të shkatërruara në Durrës e Mamurras, njerëz që janë ende nën rrënoja dhe të dhënat e para flasin fatkeqësisht dhe për jetë të humbura.

Një situatë e jashtëzakonshme kjo, më e rënda e dekadave të fundit, që nga tërmeti i vitit 1979 që goditi zonën e Shkodrës.

Do të duhet pak kohë për të pasur një vlerësim të saktë të dëmeve, por fatkeqësisht kjo goditje e natyrës vjen në një moment të vështirë për ekonominë dhe buxhetin e vendit.

Ky i fundit parashikon vetëm një fond rezervë prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 17 milionë eurosh, që është tërësisht i pamjaftueshëm për të mbuluar pasojat e kësaj ngjarjeve shkatërruese.

Fatkeqësisht, për shkak të papërgjegjshmërisë me të cilën është menaxhuar buxheti, burimet e  qeverisë në dispozicion janë të pakta. Projektbuxheti i vitit 2020 pritet të jetë më negativi i viteve të fundit, si në drejtim të pritshmërisë për të ardhurat, ashtu dhe të shpenzimeve, sidomos atyre për investime.

Me të ardhurat që pritet të jenë më të ulëta, qeveria kishte hartuar një buxhet minimalist.

Gërshërët e kursimeve do të jenë mbi shpenzimet kapitale, të cilat pritet të jenë në ulje dhe në vlerë nominale. Sipas tabelave të projektbuxhetit, shpenzimet kapitale pritet të jenë 83.7 miliardë lekë, nga 87.5 miliardë lekë që është plani për 2019-n, me një rënie nominale prej 4.2%, ku tkurrjen më të lartë do ta pësojnë investimet e brendshme(-8.6 %).

Në raport me PBB-në, shpenzimet kapitale do të zbresin në 4.7 % të PBB-së, nga 5.1 % që është pritshmëria për 2019-n, duke shënuar nivelin më të ulët nga viti 2017.

Nga ana tjetër, për shkak të angazhimeve të saj në projekte të partneritetit publik privat, që siç po rezultojnë shpesh janë të fryra dhe jo produktive. Në buxhetin e vitit 2020, shpenzimet kapitale parashikohen me ulje 4%, ndërsa pagesat koncesionare do të rriten me 16%!

Këto pagesa kanë arritur në 30% të shpenzimeve kapitale me burime të brendshme dhe 17% të investimeve totale kapitale (një vit më parë, kjo peshë ishte rreth 13%). Po ndodh ajo që pritej. Angazhimi në projektet koncesionare pa efektivitet po e detyron qeverinë të kufizojë shpenzimet e tjera kapitale (ndoshta edhe më të domosdoshme), në mënyrë që të ruajë ekuilibrat e buxhetit.

Ky shpërdorim i buxhetit po e lë vendin pa rezerva në raste të tilla të paparashikuara katastrofash. Një pjesë e tij tashmë do të jetë e detyruar të shkojë për emergjencën duke prekur fondet kapitale, se ato për PPP-të nuk preken dot.

Për momentin e rëndësishme është të kalojë kjo situatë pa shumë viktima. Më pak një rishikim i buxhetit dhe një reflektim për mënyrën se si duhet të shpenzohen paratë është i domosdoshëm!

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *