Pas më shumë se 24 orësh vijojnë ende kërkimet për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja në Thumanë dhe në Durrës.
Mëngjesin e sotëm në orën 10.30, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vizitoi spitalin e Traumës, ku ka folur për gjendjen e personave në spital.
Manastirliu tha se kanë mbetur të plagosur plot 658 persona, ndërsa vijojnë të shtruar 68 prej tyre. Manastirliu tha se 8 prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë, por dy prej tyre një djalë dhe një vajzë mund të dërgohen jashtë vendit për një ndihmë më të specializuar mjekësore.
“8 janë në një gjendje të rëndë se të tjerët dhe janë në terapi intensive. Do vlerësohet në dinamikë gjendja e tyre. Jemi duke vlerësuar mundësinë që së bashku me partnerët italianë të kenë një mjekim më mirë. Të vlerësohen epikrizat dhe parametrat e domosdoshëm. Në tërësi përgjatë gjithë ditës dje dhe orët e sotme janë trajtuar në gjithë spitalet 658 të lënduar, ndërkohë që 68 persona vijojnë të jenë të shtruar tek Spitali i Traumës në Tiranë dhe te i Durrësit.
Qëndra e kordinimit vijon të ketë misionet në banesë sipas kordinimit që kanë në territor. Janë 1700 thirrje përgjatë 28 orëve që janë kryer dhe 280 ekipe dhe misione. Ndërkohë që puna vazhdon sepse kemi planin e rimëkëmbjes dhe do ofrojmë shërbime shëndetësore dhe ato sociale në kampet e ngritura për një plan afatgjatë të stabilizimit. Ajo që po bëhet është një mbështetje tërësore e qytetarëve që janë në kampe për të dhënë kujdesin shëndetësor dhe psikosocial kaq të rëndësishëm.”– tha Manastirlliu.
Deri më tani zyrtarisht flitet për 25 viktima, mirëpo numri i tyre besohet se ka arritur në 31 pas raportimeve të njëpasnjëshme në media për nxjerrjen e trupave të pajetë nga rrënojat në Durrës e në Thumanë./ Hashtag.al
PAMJET NGA TËRMETI