Shqipëria sot është në zi kombëtare në nderim të viktimave të tërmetit të djeshëm, po ashtu edhe Kosova. Flamuri kuq e zi është ulur në gjysmë shtizë në të gjithë institucionet, por pavarësisht bilancit të rëndë me 24 viktima dhe rreth 600 të plagosur, nuk u shpall asnjë gjendje e jashtëzakonshme.
Bilanci i viktimave për fat të keq pritet të rritet, pasi ka ende persona nën rrënoja.
Vendi u godit nga një tërmet i fuqishëm në orën 03:54 të mëngjesit të 26 nëntorit. Zonat më të prekura ishin kryesisht qyteti i Durrësit dhe zona e Thumanës në Fushë-Krujë, ku u shembën disa pallate.
Kryeministri i vendit Edi Rama shpalli dje planin për menaxhimin e të dëmtuarve nga tërmeti, por duke mos shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ai ka rezervuar për të dëmtuarit që të strehohen gjatë në hotele.
Ka qenë vetë Kryeministri që ka bërë se qeveria që drejton do nënshkruajë një marrëveshje me hotelet e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës për strehimin e të gjithave familjeve të mbetura pa shtëpi nga pasojat e tërmetit.
“Dimri nuk kalohet dot as nën qiell të hapur e as në tenda, prandaj qeveria do të nënshkruajë një marrëveshje me strukturat hoteliere të Durrësit, Kavajës dhe edhe Vlorës po të jetë nevoja, që të gjitha familjet e mbetura pa çati, të strehohen në kushte optimale, të shërbehen në kushte optimale, t’i kalojnë edhe festat e fundvitit në kushte optimale bashkë me fëmijët e tyre, ndërsa këta të fundit jo vetëm të mos jenë të detyruar të braktisin shkollën asnjë ditë, po edhe të mësojnë në kushte optimale”-shkruan Rama në Facebook.
Kështu sot do mjaftohemi nga qeveria vetëm me një ditë zie.