Forcat tokësore britanike nuk kanë armatim të mjaftueshëm për një konflikt të mundshëm me Rusinë në Evropën Lindore. Kështu ka zbuluar një hulumtim nga Instituti i Bashkuar Mbretëror i Shërbimeve në Rusi.
Ky institut tha se ushtria britanike si dhe aleatët e saj të NATO-s, kanë një “mungesë kritike” të artilerisë dhe municionit, në rast të konflikteve të armatosura dhe rrjedhimisht nuk do të mund të siguronin një pozicion të qëndrueshëm mbrojtës.
Në anën tjetër, BBC shkruan se Ministria e Mbrojtjes thotë se Mbretëria e Bashkuar punon ngushtë me NATO-n dhe se është e pajisur mirë për të marrë rol udhëheqës.
Rezultatet e këtij hulumtimi u publikuan pikërisht disa ditë para takimit të liderëve të NATO-s javën e ardhshme për shënimin e 70-vjetorit të krijimit të aleancës ushtarake.
Britania e Madhe dhe disa shtete të tjera anëtare të NATO-s i kanë vendosur qindra trupa në Evropën Lindore për ta parandaluar rrezikun nga ndonjë sulm i mundshëm i Rusisë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
Rreth 800 trupa britanike janë të vendosur tash për tash në Estoni, ndërsa grupi i parë i tyre ishte dërguar në këtë vend në vitin 2017. Megjithatë, në studimin e këtij instituti thuhet se forcat e armatosura britanike kanë mungesë kritike të armëve të zjarrit në krahasim me ushtrinë ruse.
Në artikull thuhet se artileritë ruse dhe bateritë e raketave tashmë kanë provuar të jenë të fuqishme, duke shkatërruar dy batalione të Ukrainës në 2014 brenda disa minutash.
Mbretëria e Bashkuar dhe forcat e tjera të NATO-s jo vetëm që kanë një numër të kufizuar të pjesëve të artilerisë, por edhe një mungesë të rezervave të municioneve dhe transportit.