Vendosni fjalën kyçe....

E paprecedentë – Durrsakët deklarojnë shembjen e banesave, shkresat e tyre përfundojnë në rrugë (FOTOT)


E paprecedentë kjo që ka ndodhur në qytetin e Durrësit. Banorët e qytetit bregdetar pas dëmeve të pësuara nga tërmeti kanë deklaruar se banesat u janë shkatërruar dhe janë të pabanueshme, por shkresat e tyre nuk janë përfillur nga autoritetet.

Përkundrazi, dokumentet e firmosura nga këta qytetarë kanë përfunduar në rrugë.

“Banorë të Durrësit që deklarojnë se u janë shkaterruar banesat dhe shkresat përfundojnë në rrugë.”– shkruan gazetarja Lindita Çela, e cila ka publikuar disa foto të këtyre fletëve.

Dokumentet janë gjetur fare pranë stadiumit “Niko Dovana” ku po qëndrojnë mijëra qytetarë që kanë mbetur pa një çati mbi kokë dhe aty ku po qëndron Shtabi i Emergjencave.

Deri më tani, sipas Ministrisë së Mbrojtjes kanë humbur jetën 37 persona, të cilët janë nxjerrë të pajetë nga gërmadhat e ndërtesave ose kanë ndërruar jetë në spital.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes për momentin operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndërprerë në zonën e Thumanës,  ndërsa në Durrës vijojnë ende.

Në qytetin bregdetar tani po vijon puna pranë banesës së familjes Lala, si dhe pranë një hoteli, ku dyshohet se ndodhen ende dy persona.

Nga tërmeti me magnitudë 6.4, përpos humbjes së jetëve dhe qindra të plagosurve, kanë mbetur në qiell të hapur mijëra familje nga qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *