Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarja britanike: Bllokohen kamionët me ndihma nga Kosova e Maqedonia, u kërkohet t’ia lënë bashkisë ose të kthehen nga erdhën


Gazetarja britanike Alice Taylor thotë se bashkitë nuk po pranojnë ndihmat që vijnë nga jashtë, pasi u kërkojnë të ia lënë autoriteteve shqiptare për të bërë shpërndarjen e tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetarja thotë se një karvan kamionësh me ndihma që vinin nga Kosova dhe Maqedonia janë kthyer mbrapsht nga Thumana pasi autoritetet u kanë kërkuar të ia lënë ndihmën bashkisë së Krujës dhe nuk i kanë lënë t’u afrohen banorëve të prekur.

Sipas rrëfimit të gazetares Taylor, kamionët me ndihma kanë vazhduar të zhgënjyer rrugën për në Durrës ku janë përballur përsëri me të njëjtën gjë.

Duke mos i besuar ndihmat e tyre autoriteteve shqiptare, automjetet kanë mbetur të bllokuar duke mos ditur ku të shkojnë.

“Një karvan me kamionë që mbanin ndihma u kthye nga Thumana sot – atyre iu thanë se mund t’ia linin gjërat që kishin me vete bashkisë (shtetit), ose të largoheshin. Atyre iu refuzua gjithashtu hyrja në zonë.

Ata vendosën të shkojnë në Durrës dhe iu thanë në 2 vendndodhje se nuk ka hapësirë dhe se ata duhet të ia lënë gjërat shtetit. Duke mos pranuar ta bëjnë këtë, ata provuan një vend të tretë dhe u përballën me të njëjtën qasje për ata që janë në nevojë. Partneri im nuk raporton asnjë organizatë në terren dhe punëtorët e shtetit po shesin sende të tilla si batanije dhe pallto. Për më tepër ai ka parë artikuj që i jepen atyre që nuk preken nga tërmeti, që janë duke i marrë për të shitur.

Ai më tha se ka 10 kamionë me furnizimeve nga Kosova dhe Maqedonia që ende po ndalohen të dëgojnë ndihmat dhe nuk pranojnë të ia lënë punonjësve të shtetit nga frika se do të keqpërdoren.

Këto automjete po qëndrojnë në vend dhe nuk kanë ku të shkojnë e as nuk e kanë idenë se kë të kontaktojnë ose çfarë të bëjnë.”– tregon gazetarja.

Madje sipas saj as Artur Lekbello, drejtor i emergjencave civile nuk i është përgjigjur thirrjes së tyre për ndihmë, madje u ka mbyllur telefonin.

“Kur u përpoqën të kontaktojnë drejtorin e emergjencës civile Artur Lekbello për Durrësin, ai u tha ‘mos më telefononi mua se nuk dua të flas me askënd’ dhe ndërpreu telefonatën.

Policia e shtetit po kërkon furgonat dhe po pyet njerëzit sepse ‘ndoshta po vijnë për t’i bërë diçka të keqe këtyre njerëzve’.”– denoncon gazetarja britanike.

Nuk e dimë se sa e vërtetë është deklarata e kësaj gazetareje, ndërsa ende nuk ka një koment nga autoritetet e asnjërit prej palëve.

Alice Taylor është një gazetare nga Anglia, të cilës pak kohë më parë autoritetet shqiptare i anuluan lejen e qëndrimit në vend pas kritikave të saj ndaj qeverisë shqiptare.

Përveçse  është gazetare, Taylor është edhe shkrimtare, aktiviste dhe blogere, e cila është diplomuar për drejtësi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *