Mirëmbajtja dhe menaxhimi i sheshit Skënderbej do të bëhet nga kompanitë private. Bashkia e Tiranës përmes Drejtorisë Nr.2 e Punëtoreve të Qytetit Tiranë ka hapur të mërkurën e kësaj jave procedurën për menaxhimin dhe mirëmbajtjen men një fond limit mbi 133 milionë lekë apo rreth 1.08 milionë euro.
Referuar studimit të fizibilitetit që ka në objekt pikërisht këtë procedurë nënvizohen të gjithë elementët për të cilët do të kujdeset kompania private që do të marrë menaxhimin dhe mirëmbajtjen.
Së pari është pastrimi ditor i sipërfaqes së pllakave që llogariten në 26 mijë metra/katror. “Pastrimi gjeneral që do ti bëhet sheshit është pastrimi i cili do të bëhet çdo ditë.
Ky pastrim nuk është i një teknike të veçantë por thjesht është një pastrim me fshesë nga punëtoret e përcaktuar i cili përfshin të gjitha hapësirat e sheshit Skenderbej dhe do të ndodhë një herë në ditë me qellim të heqjes së pjesës më të madhe të papastërtive që krijohen nga përdoruesit dhe kalimtarët e sheshit” thuhet në dokument.
Po kështu është menduar edhe pastrimi i elementeve rrethues si edhe pastrim i fugave dhe gurëve natyrorë një herë në 6 muaj.
Operatori që do të marrë përsipër menaxhimin do të duhet të kujdeset edhe për kanalizimet. “Përmasat e sheshit janë 164.16 me 146.16. Duke qenë të tilla, pra të kësaj madhësie, rëndësi të madhe ka shkarkimi i ujrave të shiut, por dhe i shatërvanëve, si atyre me rrjedhje dhe atyre me hedhje të ujit” thuhet në dokument.
Po kështu edhe mirëmbajtja e ndriçimit do të ketë pjesën e vet duke qenë se varieteti i përfshirë në shesh për këtë aspekt është i lartë duke nisur nga ndriçuesit shtyllë tek spotet, neonet dhe muralët.
Mirëmbajtja e gjelbërimit është elementi i katërt duke qenë se janë përdorur 150 specie të ndryshme të pemëve, shkurreve, luleve, hardhive dhe zhardhokëve një apo dy vjetorë. Mirëmbajtja e shatërvanëve është një tjetër detyrë e menaxhimit dhe mirëmbajtjes së sheshit e cila pasohet nga mirëmbajtja e çezmave publike.
Operatori privat do të duhet të bëjë menaxhimin dhe mirëmbajtjen për një periudhë 36 mujore por mbetet e paqartë pse Bashkia e Tiranës kalon menaxhimin e sheshit tek privati ndërkohë që ka nën vete ndërmarrje specifike që merren me pastrimin, gjelbërimin apo ndriçimin. Individët dhe bizneset paguajnë taksën vjetore të pastrimit dhe gjelbërimit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor