Sekretari amerikan i Shtetit, Pompeo, ka uruar Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë. Në deklaratën e tij, Pompeo, ngushëllon për jetët e humbura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke theksuar se lutjet shkojnë për familjet e viktimave dhe të plagosurit.
‘Deklaratë e Sekretarit të Shtetit Michael R. Pompeo në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë
Ndërsa Shqipëria përkujton solemnisht Ditën e saj të Pavarësisë, ne përcjellim ngushëllimet tona më të thella për ata që humbën jetën në tërmetin e kësaj jave. Sot, lutjet tona shkojnë për familjet e tyre, si dhe për njerëzit e plagosur. Në emër të popullit amerikan, ne ju urojmë shërim të shpejtë të gjithë të prekurve. Edhe tani, ashtu si në kohë të tjera të vështira, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të miqve tanë në Shqipëri.’ – deklaron Pompeo.
Më tej në deklaratën zyrtare theksohet se SHBA-ja mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ndërsa Pompeo shton se Uashingtoni mbështet reformat e vendit dhe vlerëson ndihmën e Tiranës zyrtare në NATO.
‘Prej rënies së komunizmit tridhjetë vjet më parë, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar një partneritet gjithnjë e më të fortë. Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe përgëzojnë vendosmërinë e Shqipërisë në arritjen e këtij qëllimi. Ne përshëndesim përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zbatuar reformat e nevojshme, përfshirë reformat që synojnë forcimin e një sistemi drejtësie të pavarur. Ne vlerësojmë thellësisht kontributet pozitive të Shqipërisë në koalicionin e NATO-s dhe mirëpresim udhëheqjen e Shqipërisë si Presidente e OSBE-së për vitin 2020. Miqësia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë qëndron si një shtyllë e qëndrueshme paqeje dhe stabiliteti, dhe ne mirëpresim akoma edhe më shumë vite miqësie dhe bashkëpunimi.’ – mbyllet deklarata.