Përveç 49 viktimave e më shumë se 900 të plagosurve, tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar dëme të mëdha materiale edhe në Tiranë, përveç Durrësit, Thumanës, Vorës, Laçit e Lezhës.
Në Tiranë ka nisur puna për verifikimin e godinave të dëmtuara. Sipas nënkryetarit të Bashkisë, Mazniku, në Tiranë janë evidentuar disa banesa të pabanueshme, për të cilat ka nisur zhvendosja e banorëve.
Sipas Maznikut, që citon të dhënat e grupeve të verifikimit, deri tani janë gjetur dëme në 450 pallate ndërsa 10 prej tyre janë shpallur të pabanueshëm. Për sa u përket dëmeve në banesat private, sipas Maznikut, 621 prej tyre kanë pësuar dëmtime të rënda nga lëkundjet e tërmetit.
406 banesa private janë shpallur të pabanueshme dhe sipas numrit dy të bashkisë, është urdhëruar evakuimi i banorëve. Zonat më të prekura janë Vaqarri, Kashari e Petrela për sa u përket vanesave private e Kombinati për sa u përket pallateve.