Presidenti francez Macron duhet të përcaktojë nivelin e tij të ‘vdekjes së trurit’, përpara se të akuzojë NATO-n për ‘vdekje truri’, tha presidenti turk Erdogan.
Franca nuk ka të drejtë të kritikojë inkursionin ushtarak të Turqisë në Siri, ose të bëjë supozime rreth NATO-s në tërësi, tha Erdogan në një fjalim në ‘Universitetin Marmara’ në Stamboll të premten.
Udhëheqësi turk sulmoi Macron-in personalisht, duke hedhur poshtë pretendimin e presidentit francez se NATO-ja po vuante nga ‘vdekja e trurit’.
‘Para së gjithash, kontrolloni vdekjen e trurit tuaj. Këto deklarata janë të përshtatshme vetëm për njerëz si ju që u ka vdekur truri për vete.’ – tha Erdogan.
Përplasja vjen vetëm një ditë pasi Parisi dhe Ankaraja shkëmbyen ‘fjalë të nxehta’ për NATO-n dhe konfliktin në Siri. Macron kishte paralajmëruar se NATO-ja nuk mund të tregojë solidaritet me operacionet e diskutueshme ushtarake të Turqisë.
Ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, u kundërpërgjigj se Franca është ‘sponsorizues i terrorizmit’, duke iu referuar takimeve të mëparshme të Macron-it me përfaqësuesit kurd.