Dom Gjergj Meta ka reaguar lidhur me arrestimin e një vajze nga Durrësi, e cila akuzohet se ka përhapur panik në rrjetet sociale pas tërmetit me magnitudë 6.4 të së martës, që shkaktoi 51 viktima. Sipas tij, arrestimi i të resë është veprim i nxituar dhe kërkoi lirimin e saj të menjëhershëm.
“Arrestimi i vajzës nga Durrësi, Xhulia Aliaj, më duket një veprim i nxituar nga ana e policisë dhe i shproporcionuar në krahasim me një status në fb. Një arrestim i tillë do të ishte absurd në çdo vend demokratik. Jam i bindur se vajza duhet të lirohet menjëherë.”– tha Dom Gjergj Meta.
Mirëpo gruaja e ministrit Bledi Çuçi, Delina Fico, e cila është njëkohësisht një përfaqësuese e spikatur e rrjetit Soros në Shqipëri, nuk është në një mendje me të. Ajo thotë se edhe në New York, pas sulmeve të 11 shtatorit u zbatua ligji që dënon përhapjen e panikut.
“Në 12 shtator, një ditë pas 11 shtatorit 2001, shteti i Nju Jorkut shpalli se do të dënonte me burg ata që përhapnin alarme të rrema. E di, sepse jetoja e punoja në Manhattan në atë kohë. Përhapja e panikut mund të sjellë pasoja vdekje-prurëse.”– thotë ajo.
Dom Gjergj Meta ka zgjedhur të mos i përgjigjet Ficos për momentin, por të tjerë janë futur në debat me gruan e ministrit Çuçi për këtë çështje.
Xhuljana Aliaj u arrestua dje nga policia, nën akuzën se ka përhapur nëpërmjet “Facebook”, postime që përhapin panik dhe lajme destabilizuese. Arrestimi i saj u bë pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama se do mbyllte ekranet dhe ndëshkonte administratorët e portaleve për përhajen e panikut, pas tërmetit. Mirëpo vendimi i tij duket se prek edhe qytetarët, për postimet e tyre në rrjetet sociale.