Kryeministri ende në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmjen e shkuar i është gjendur pranë banorëve të Thumanës, të cilët janë prekur nga tërmeti i fuqishëm i së martës.
“Sonte, në Thumanë, në vendin e dhimbjes për çdo shqiptarë që humbi më të dashurit e tyre nga tërmeti me pasoja tragjike, për t’u shprehur solidarë por edhe për t’ua zgjatur dorën bashkëkombësve tanë.Ajo që po e bën Kosova, populli i saj, është njerëzore, sepse ne ndajmë gëzimin sikurse edhe tash të keqen bashkë. Kujdesi ynë nuk do të mungojë.Ndjenjë e veçantë se sa shumë jemi për njëri tjetrin, në çdo kohë!”- shkroi Haradinaj, duke publikuar disa fotografi nga vizita e tij ku shihet pranë banorëve.
Kosova, duke nisur nga qytetarët e thjeshtë e deri tek strukturat e shtetit, ka treguar një mobilizim të jashtëzakonshëm dhe solidaritet, duke u gjendur pranë qytetarëve shqiptarë të prekur nga tërmeti.
Thumana ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti, nga ku ishin 26 prej 50 viktimave që u gjendën nën rrënoja.