Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar se numri zyrtar i viktimave nga tërmeti i fuqishëm i së martës, ka arritur në 50. Ai kërkoi që të mos sulmoheshin trupat e ekipit të shpëtimit shqiptar, duke shtuar se ata kanë shpëtuar 38 jetë nën rrënoja, para se të vinin forcat e huaja.
“Numri i viktimave ka mbërritur në 50 dhe operacionet e kërkim shpëtimit janë ndërprerë.
Trupat tona meritojnë vlerësimin më të lartë. Këtë e them jo vetëm për t’i kthyer një përgjigje sqaruese atyre që përpiqen të thonë se po të mos ishin të huajt ne nuk do arrinim të shpëtonim askënd. Deri në momentin e pasdites vonë kur ka mbërritur forca e parë e huaj e kërkim shpëtimit numëroheshin 38 persona të shpëtuar. 38 njerëz janë shpëtuar nga trupat tona. Nuk dua të mohoj faktin se trupat tona kanë nevojë për t’u fuqizuar në pikëpamjen e mjeteve dhe për t’u motivuar më shumë duke nisur me trajnime, nuk bëhet fjalë për të vënë dyshim dhe për të përqeshur kapacitetet e tyre. Në tërësinë e skuadrave të integruara skuadra jonë e urgjencës është e të gjitha standardeve. Të gjithë përfaqësuesit e trupave të kërkim shpëtimit e kanë thënë këtë me admirim. Një efekt pozitiv është se me trupat franceze dhe italiane janë vendosur tani urat e komunikimit. Shumë shpejt do vendosim urat në çdo aspekt.“, tha Rama.
Kryeministri bëri me dije se aktualisht në spitale po marrin mjekim 41 persona të cilët kanë pësuar dëme nga tërmeti.
“Aktualisht në spitale marrin ndihmë mjekësore 41 persona, 34 në spitalin e Traumës, 4 në Durrës, 3 jashtë vendit dhe disa në një vëzhgim intensiv për të parë ecurinë ndërkohë që janë gati transferimet në rast se do e kërkojnë mjekët”, tha Rama.
Rama shtoi se 2472 persona janë akomoduar në hotele duke nisur nga Durrësi në Gjirokastër, mes tyre persona që i është shkatërruar shtëpia nga tërmeti por edhe të tjerë të cilët nuk duan të qëndrojnë në shtëpi nga frika.