“BBC” shkruan se personi që kreu sulmin me thikë të premten në Urën e Londrës, ishte një ish-i burgosur i dënuar për vepra terrorizmi.
Ai është identifikuar nga policia si 28-vjeçari Usman Khan. Ai kishte dalë jashtë me leje, në kohën kur një burrë dhe një grua u vranë dhe tre të tjerë u plagosën.
Khan u qëllua për vdekje nga oficerët. Policia e deklaroi sulmin një incident terrorist.
Sipas Ndihmësit të Komisionit të Policisë, Neil Basu, i dyshuari Khan ishte i njohur për autoritetet, pasi ishte dënuar për vepra terrorizmi në vitin 2012.
“Ai u la i lirë nga burgu në dhjetor 2018 me licencë dhe linja kryesore e hetimit tani është të përcaktohet se si ai e kreu këtë sulm”- tha Basu.
“Times” raportoi se Khan u lirua nga burgu vitin e kaluar pasi ai ra dakord të vendoste një etiketë elektronike që monitoronte lëvizjet e tij.
Sulmi ndodhi dje në orën 13:58, gjatë një konference të Universitetit të Kembrixhit për rehabilitimin e të burgosurve .
I dyshuari po merrte pjesë në event, ku ndodheshin dhjetëra njerëz, përfshirë studentë dhe ish-të burgosur .
Basu tha se sulmi ka filluar brenda ndërtesës dhe ka vazhduar në Urën e Londrës, ku Khan u përball dhe u qëllua nga oficerët e armatosur.
Një burrë dhe një grua u vranë gjatë sulmit, ndërsa tre të tjerë, një burrë dhe dy gra ndodhen të plagosur në spital.