Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro ka akuzuar aktorin e Hollivudit, Leonardo DiCaprio-n, se jep para për t’i vënë flakën pyjeve të Amazonës.
BBC shkruan se presidenti brazilian edhe më parë ka akuzuar OJQ-të kritike ndaj tij, se kanë ndezur zjarret që shkatërruan pyjet e shiut këtë vit.
Këto komente, vijnë pas arrestimit të katër zjarrfikësve vullnetarë, të akuzuar se kanë ndezur zjarret me qëllim për të marrë fonde për OJQ-të.
DiCaprio, i cili ka premtuar 5 milionë dollarë për Amazonën i ka mohuar akuzat e Bolsonaros.
Çfarë tha presidenti?
“Ky Leonardo DiCaprio është një djalë i lezetshëm, apo jo? Duke dhënë para për të ndezur Amazonën”.
Ai nuk dha prova, megjithëse deklarata dukej se i bënte jehonë një transmetimi të drejtpërdrejtë që dha të enjten mbi një organizatë mjedisore, Fondi Botëror i Kafshëve të egra (WWF), se kishte paguar për të marrë pamjet e zjarrfikësve të arrestuar.
Bolsonaro tha: “Pra, çfarë bëri OJQ-ja? Cila është gjëja më e lehtë? Ndizni zjarr në pyll. Bëni fotografi, bëni një video. WWF bën një fushatë kundër Brazilit, kontakton me Leonardo DiCaprio-n, ai dhuron 500,000 dollarë. Një pjesë e kësaj u shkoi njerëzve që po ndiznin zjarret. Leonardo DiCaprio, ju jeni duke kontribuar në zjarrin në Amazon”.
Si është përgjigjur DiCaprio?
Aktori dhe aktivisti reagoi përmes një deklarate: “Megjithëse ata me siguri ia vlen të mbështeten, ne nuk kemi financuar organizatat që janë aktualisht të sulmuara. E ardhmja e këtyre ekosistemeve të pazëvendësueshme është në diskutim dhe unë jam krenar që jam pjesë e grupeve që i mbrojnë ata.”
DiCaprio vlerësoi “njerëzit e Brazilit që punojnë për të shpëtuar trashëgiminë e tyre natyrore dhe kulturore”.
WWF reagoi gjithashtu duke thënë se nuk kishte marrë asnjë donacion nga aktori, fondacioni i të cilit përqendrohet në projekte mjedisore.