Pas sulmit me thikë të së premtës në Urën e Londrës, kryeministri britanik Boris Johnson, ka pranuar se ka qenë “gabim” vendimi i gjykatës për të liruar parakohe të dyshuarin, i cili ishte një ish-i dënuar për terrorizëm.
Johnson tha se ishte e gabuar të lejohen të dalin herët nga burgu, kriminelët e rrezikshëm.
“Është shumë e rëndësishme që të dalim nga ai zakon dhe të zbatojmë dënimet e duhura për kriminelët e rrezikshëm, veçanërisht për terroristët, që unë mendoj se këtë dëshiron publiku të shohë”– tha Johnson.
Pas sulmit ku humbën jetën dy njerëz, policia e Londrës e identifikoi të dyshuarin si 28-vjeçarin Usman Khan, i cili jetonte në zonën Staffordshire dhe ishte dënuar në vitin 2012 për “vepra terrorizmi”.
Autoritetet thanë që Khan ishte liruar në dhjetor të 2018-ës “me licencë”, që do të thotë se ai duhej të plotësonte disa kushte. Policia po e trajton sulmin me thikë si një sulm terrorist.