Dyshohet se nga makina e kompanisë së sigurisë ‘Spartan Security’ është grabitur një shumë prej rreth 300 milionë lekë të vjetra.
Grabitja ndodhi rreth orës 12:40 në zonan e Qafës së Kasharit, ku autorët i kanë prerë rrugën mjetit dhe pasi kanë nxjerrë personat që ishin brenda saj, kanë rrëmbyer mjetin dhe e kanë braktisur disa kilometra larg vendit të ngjarjes në rrugë dytësore.
Njoftimi i policisë
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 12:40, në afërsi të Qafë Kasharit, persona të paidentifikuar kanë marrë me forcë një automjet në pronësi të një firme private Security dhe me pas automjetin e kanë braktisur në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës.
Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet dhe krehjen e zonën ku u gjet mjeti i braktisur me qëllim kapjen e autorëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për administrimin e çdo prove të vlefshme që do t’i shërbejë hetimit për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.