Vendosni fjalën kyçe....

Meta zbulon çfarë u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare: Prokuroria të çojë para hetimet


Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zbardhur detaje për atë se çfarë u diskutua në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Meta tha se i jepet mbështetje e plotë prokurorisë për nisjen e hetimeve dhe vendosjen para ligjit të të përgjegjësve lidhur me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

 “Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.

Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”-shkruan Meta.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare u thirr nga Presidenti Meta për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima, 700 të plagosur dhe mijëra ndërtesa të shkatërruara. Siç shihet në fotot e mëposhtme, Rama u shfaq në këtë mbledhje i veshur me xhup sportiv dhe mbante kokën ulur gjatë kohës që fliste presidenti.

Në këtë mbledhje nuk ishte kreu i PD-së Lulzim Basha, i cili nuk kishte ftesë.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë morën pjesë:
Presidenti – Ilir Meta
Kryeministri – Edi Rama
Kryeparlamentari – Gramoz Ruçi
Kreu i SHISH – Helidon Bendo
Kryeprokurori – Arta Marku 
Kryetari i komisionit të Sigurisë – Ermonela Felaj
Ministri i Brendshëm – Sandër Lleshaj
Ministri i Drejtësisë – Etilda Gjonaj 
Ministrja e Mbrojtjes – Olta Xhaçka 
Ministri i Ekonomisë dhe Financave – Anila Denaj
Ministri i Energjetikës – Belinda Balluku
Ministri i Jashtëm – Edi Rama, i komanduar në detyrë Gent Cakaj

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje, Meta kaloi rreth 30 minuta me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi. Nuk dihet se për çfarë kanë diskutuar ata, por mendohet se përsëri fokus i bisedimeve ka qenë situata pas tërmetit por dhe klima politike në vend.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *