Kryeministri Edi Rama dha si porosi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme, sigurimin e listave me emrat e ndërtuesve të pallateve në qytetin e Durrësit.
Ai u bëri apel të gjithë ndërtuesve në Durrës, që sot të paraqiten dhe të marrin përsipër të riparojnë të gjitha dëmet e shkaktuara tërmeti. Në të kundërt ai paralajmëroi burg për ta.
“Dua të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe sot hyjnë te godinat e dëmtuara por jo të rrezikshme që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse të drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën apo zyrën e shtabit të emergjencës në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një më një vetë godinat, të gjitha riparimet nga ato sipërfaqësore deri te dëmet materiale që i janë shkaktuar njerëzve për shkak të dëmtimeve.
E bëj këtë apel sepse shumë shpejt do të jetë vonë për ta. Kush do t’i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejt përpara organeve të drejtësisë, do ta çojmë ne në akuzë dhe do të kërkojmë burgim për papërgjegjshmëri.“- tha Rama.
Për shkak se një pjesë e mirë e ndërtesave që u shembën në Durrës, ishin ndërtuar në mënyrë abusive, Rama kërkoi një raport për katet e shtuara pa leje për çdo pallat.
“Kam kërkuar edhe një raport të cilin duhet ta përgatisim me pushtetin vendor për katet e shtuara mbi leje. Janë një sërë katesh të shtuara mbi leje që duhet të regjistrohen dhe me të cilat duhet të ndërmarrim një nisëm të vecantë më pas”- tha kryeministri.
Më tej kryeministri shtoi se të premten grupet e ekspertëve dhe inxhinierët do të mbajnë një konferencë, ku do të tregojnë se në cilat godina duhet treguar kujdes.
“Në të gjitha kontaktet që unë kam pasur, edhe me disa nga grupet inxinierike, masat në skuadrat tona janë jashtë zakonisht pozitive. Grupit të tjera kanë ardhur dje, të tjera pritet të vijnë në vijim. Do t’u japim njerëzve garanci që godinat nuk përbëjnë rrezikshmëri dhe njëkohësisht duhet të vëmë në kryq të gjithë godinat që duhen shembur. Ditën e premte përfaqësuese të ekspertimit të godinave do të paraqesin për publikun raste dhe tipologji ndërtimesh për të treguar se nga dhe për çfarë duhet të ketë një shqetësim. Pastaj në çdo rast duhet të bëhet ekspertimi i veçantë. Të premten do të ndiqni nga goja e atyre që dinë se çfarë flasim. Dua t’u bëj apel mediave të adresojnë pyetjet për këto grupe, nuk iu kushton asgjë t’i kërkojnë ekspertët dhe t’i pyesin. Po punojmë për kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në nderimit dhe njësia speciale ka nisur të gjithë hartën për të identifikuar përgjegjësitë.”- tha Rama./Hashtag.al