Vendosni fjalën kyçe....

Rama s’u ndahet mediave: Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata


Kryeministri Edi Rama nuk i lë kërcënimet për mediat. Përmes një shkrimi ai u kërkon medieve të filtrojnë informacionin që raportojnë e madje shprehet se do detyrohet të bëjë diçka që gazetarëve s’ua rrok dot imagjinata.

“Gjatë periudhës së gjendjes së jashtzakonshme të fatkeqësisë natyrore, Japonia ka masa ekstreme për mediat private, që mesa duket edhe në Japoninë e urtësisë së vjetër, paskan qenë taksirat mbi taksiratin e madh të tërmetit! Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata!

Filtroni informacionet dhe verifikoni ato që thoni! Menaxhoni debatet dhe ndaloni klithmat nëpër studiot tv dhe përfshihuni në qetësimin e shpirtrave të goditur më keq se banesat! Kontribuoni për të kanalizuar energjinë e jashtëzakonshme të solidaritetit mbarëshqiptar! Kjo është koha për kurimin psikologjik të popullit që ju ndjek dhe jo për rrenat e shamatatë karakteristike të veprimtarisë së një pjese të madhe të sferës suaj!”– shkruan Rama.

Ky nuk është paralajmërimi i parë i Ramës karshi medieve. Prej disa ditësh, Rama ka kërcënuar vazhdimisht se do ndëshkojë ato media dhe gazetarë që përhapin panik pas tërmetit të 26 nëntorit dhe që raportojnë lajme të rreme.

Pak ditë më parë, AKEP mori masa ndaj portalit “JOQ” duke i bllokuar aksesin për Shqipërinë. Kjo masë nënkupton që të gjithë përdoruesit, mund ta shohin nga jashtë vendit faqen, por jo brenda Shqipërisë. Po ashtu policia procedoi dy administratorët e “JOQ”, Erland Dalliu dhe Gentian Çengeli, për publikimin e njoftimeve të rreme të cilat përhapin panik te publiku.

Po ashtu sot ka nisur gjyqi ndaj qytetares Xhulia Aliaj, e arrestuar pas tërmetit të 26 nëntorit nën akuzën për përhapje të panikut. Ajo kishte bërë disa postime në “Facebook”, duke iu referuar një medieje italiane. Avokati mbrojtës ka thënë se qëllimi i Aliajt nuk ka qenë aspak përhapja e panikut, por shqetësimi dhe frika e saj nga pasojat e mundshme të tërmetit, lidhur me artikullin që ajo kishte lexuar nga një media italiane.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *