Më datën 31 korrik, pak para tërmetit të 21 shtatorit, ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, i kthente presidentit Meta një përgjigje zyrtare lidhur me shqetësimin e kreut të shtetit për planin e masave lidhur me fatkeqësitë natyre, më konkretisht tërmetit.
Në përgjigjen e saj, Xhaçka, theksonte ndër të tjera se nuk kishte asnjë dyshim se Shqipëria ishte më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat sesa kishte qenë në 30 vitet e fundit.
‘Unë nuk kam asnjë dyshim se që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 viteve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se ç’ka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona.’ – shkruante Xhaçka asokohe.
Pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, ajo që u vërejt në ditët e para ishte një mungesë e plotë e përgatitjeve për të përballuar një situatë të tillë.
Forcat e emergjencave civile, policia e zjarrfikësit ishin vetëm fizikisht në vendngjarje, pasi nuk kishin mjetet e duhura për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Përveç lopata, kazmave e fadromave, ata nuk kishin as qen për të kërkuar nën rrënoja, as kamera termike apo fleksibël dhe as pajisje të tjera mekanike. U desh ardhja e forcave të emergjencës së Kosovës, Greqisë e Rumanisë fillimisht, që operacionet të bëheshin si duhet.
Ndërkohë askush nuk e dinte se drejtor i Emergjencave Civile ishte Haki Çako, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, i cili në ditët pas tërmetit ka qenë thuajse i zhdukur.
Edhe menaxhimi i strehimit, shpërndarjes së ndihmave ishte në ditët e para i prorganizuar ndërsa shumë banorë në Durrës, Thumanë, Laç, Vorë e Tiranë pa llogaritur fshatrat përreth janë ankuar vazhdimisht për mungesën e ndihmës, ndarjen selektive të ndihmave, mungesën e strehimit etj.
Pyetja që shtrohet për ministren e Mbrojtjes, Xhaçka, është se çfarë nënkupton kur thotë se Shqipëria është më e përgatitur së kurrë më parë për përballimin e emergjencave? /Hashtag.al