Vendosni fjalën kyçe....

8 ditë pas tërmetit, Elisabeta Imeraj jep urdhrin: Mos shembni asnjë objekt pa lejen tonë


Plot 8 ditë pas tërmetit, prokuroria e Tiranës i ka kërkuar bashkisë dhe policisë, që të mos shembet asnjë objekt pa miratimin e organit të akuzës për shkak të hetimeve për ndërtimet abuzive.

Dokumenti i urdhrit të Prokurorisë është publikuar nga portali “Shqiptarja.com“.

Përmes një shkrese, prokurorja Elizabeta Imeraj kërkon nga bashkia dhe policia që t’u vendosin në dispozicion për 48 orë, një raport me të gjithë listën e objekteve të dëmtuara si dhe u kërkohet të mos veprohet me shembjen e ndërtesave, pa u kryer më parë hetimet.

Mirëpo ky urdhër vjen disa ditë pasi ka nisur shembja e disa objekteve si në Tiranë ashtu edhe në Durrës.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe Krujës, njoftuan se kishin nisur hetimet për godinat e shembura, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se do të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit për ndërtimet abuzive.

Mirëpo shembjet e menjëhershme ngritën dyshime se pse po nxitohet për të shembur provat e një hetimi lidhur me cilësinë dhe respektimin e rregullave të ndërtimit në Republikën e Shqipërisë.  Ndërkohë që disa pallate janë shembur prej disa ditësh, vetëm dje dhe vetëm Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhrin që parashikon njoftimin paraprak të Prokurorisë. Nuk dimë nëse edhe nga Prokuroria e Durrësit dhe e Krujës do të kemi të njëjtin urdhër./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *