Vendosni fjalën kyçe....

Greqia dhe Turqia kërkojnë normalizimin e marrëdhënieve shtetërore


Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, do të takohet me presidentin e Turqisë, Reccep Tajip Erdogan, të mërkurën, në një përpjekje për të shtensionuar raportet pasi Ankaraja nënshkroi marrëveshje me Libinë për kufijtë detarë.

Kryeministri grek dhe presidenti turk do të takohen në margjinat e një samiti të aleancës së NATO-s në Londër, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, raporton REL.

“Shpresojmë se do të jetë një takim ku do t’i hapet rruga një forme të re të respektimit të ligjit ndërkombëtar dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë të dyja vendeve”, u tha ai gazetarëve.

Libia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për kufijtë në Mesdhe, javën e kaluar, e cila mund të komplikojë mosmarrëveshjet e Ankarasë për eksplorimin e energjisë në det të hapur me disa vende, përfshirë Greqinë.

Athina thotë se marrëveshja është absurde në aspektin gjeografik, sepse injoron praninë e ishullit grek të Kretës midis brigjeve të Turqisë dhe Libisë.

Greqia ka paralajmëruar se do ta dëbojë ambasadorin e Libisë në Athinë, nëse ai nuk do të siguronte sqarime për qeverinë greke.

Athina tashmë ka kërkuar mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja, për të cilën Petsas tha se “nuk mund të qëndrojë indiferente kur një prej anëtarëve të saj shkel hapur ligjin ndërkombëtar.”

Erdogan e ka konfirmuar takimin me Mitsotakis.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *