Presidenti i Republikës, Ilir Meta njofton se tubimi i thirrur në 8 dhjetor në sheshin “Demokracia”, në qytet Studenti nuk do të organizohet.
Presidenti shprehet se ky nuk është momenti i duhur për të tërhequr njerëzit që po ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre për t’i nxjerrë në shesh.
Por nga ana tjetër theksoi se ideja e referendumit nuk ndryshon dhe qytetarët do të thirren në një moment tjetër.
Pjesë nga intervista:
Gazetarja: Meqë dolëm tek çështja e referendumit doja t’ju bëja 2 pyetje. Së pari ju keni thirrur një tubim në datën 8 dhjetor në Qytetin Studenti. A i qëndroni kësaj thirrje sërish do të organizohet, i qëndroni thirrjes që i keni bërë popullit për t’u bashkuar ?
Presidenti Meta: Sigurisht që kjo situatë prevalon mbi çdo lloj iniciative tjetër. Tani është momenti i bashkëpunimit, i bashkëveprimit për të përballuar këtë fatkeqësi të madhe, me të cilën po ndeshet vendi dhe sidomos mijëra e mijëra familje të qarkut të Tiranës, të qarkut të Durrësit, të qarkut të Lezhës, por edhe në zona të tjera që janë dëmtuar më pak.
Kjo është prioritare dhe sigurisht që nuk është koha dhe nuk është momenti për të krijuar apo për të mbajtur një fokus tjetër. Sigurisht që kjo nuk do të thotë se unë kam ndryshuar mendim se cila është rruga që do të çojë Shqipërinë përpara dhe që do t’i bëjë shqiptarët të ndihen zot të vetes së tyre dhe të vendit të tyre. Kjo është vetëm një rrugë dhe është rruga e referendumeve, por natyrisht nuk është koha më 8 dhjetor për të tërhequr njerëzit nga terreni, nga ndihma, nga përkrahja që po u bëjnë bashkëqytetarëve të tyre.