Vendosni fjalën kyçe....

Një rrëfim mes traumës dhe shpresës


 

Nga Jona Dividi

Ishte mëngjesi i datës 27 Nëntor, një ditë pas tërmetit i cili shkaktoi trishtim dhe dhimbje tek të gjithë, Ankthi e frika vazhdonte pambarim, kur mendoje për jetët e njerëzve që vazhdonin të gjendeshin poshtë rrënojave.

Ankthi, paniku e frika na kishte pushtuar dhe dukej sikur nuk donte të na linte të qetë. Edhe pse pothuajse pa gjumë, mendja më rrinte se çfarë mund të bëja për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi.

Një telefonat e mamasë time në orët e para  të mëngjesit ishte pikërisht ajo që më duhej. ‘”uhet të bëjmë diçka për këta njerëz, kanë nevojë për ne dhe këdo që mund të kontribuojë”, u shpreh.

E vërtetë, duhet të lëviznim!

Nisa t’i telefonoja miqve dhe kujtdo që më vinte ndërmend në ato momente, bizneseve, etj.  Kërkonim ndihma për në Thumanë, ushqime të ngrohta për ata njerëz fatkeq të cilët kishin kaluar natën mes dhimbjeve, dëshpërimit, humbjeve në njerëz, në të ftohtë e lagështirë. Menduam ushqime të ngrohta e të gatuara në çast për faktin se nuk mundeshin t’i gatuanin vetë nëse ne ju nisnim ushqime nga marketet.

Disa nga restorantet u pergjigjën që ishte e pamundur të kontribuonin, edhe pse këmbëngulja nga ana ime ishte e madhe duke u treguar se në këto momente na duhej të ishim tepër human, të ndjenim dhimbjen dhe nevojat e njerëzve në çadra, në rrugë e kudo, por jo.

Si gjithmonë mendova, cinik e të pashpirt, nuk mund të fitohet edhe në situata të tilla. Ndërkohë miqtë e mi filluan të mblidhnin para, edhe ata që nuk ndodheshin në Tirane me shkruanin të vija kontribut patjeter për ta.

U nisëm drejt ambjenteve që gatuanin ushqime të ndryshme shtëpie, pasi koha nuk ishte në favorin tonë. Nga ai vend dolëm duke e paguar çdo racion me lekë në dorë, edhe pse i thamë për çfarë i donim. Por jo, asnjë lëvizje! Çudi…Por jo, do të jenë vetëm këta thashë në fund. Vazhduam tek një tjetër pak më poshte, ku porositem racionet e tjera.

“Për çfare i doni?” – më pyeti.

“Do t’i çojme në Thumanë” – iu pergjigja ftohtë.

“Atëherë nuk do paguani asgjë” – m’u përgjigj.

U çudita!

“Faleminderit zotëri, unë quhem Jona Dividi… Jam piktore dhe bashkë me këtë vajzën dhe miq të tjerë jemi organizuar në mënyrë vullnetare, për t’i ardhur në ndihmë banorëve të Thumanës.”

“Do t’ju jap edhe një batanije”, u dëgjua një zë. Ishte bashkëshortja e zotit Shkoza.

Të lumtura bashkë me Klejdin u nisëm per t’i çuar drejt makinës. Ja që ka edhe njerëz me zemër, i them. Ndërkohë u kthyem në Qendrën ‘Tirana Art’ për të marrë çfarë ndihmash kishin ardhur të tjera. I ngarkuam dhe vazhduam pasi na priste Adi.

Adi eshte një piktore jo vetem shumë e talentuar por gjithashtu me shpirt e zemër të madhe, e cila sapo mori vesh çfarë do benim u bashkua me ne pa e diskutuar. Adi nuk është në marrëdhenie pune dhe jeton duke shitur ndonjë pikturë ose duke qëndruar te pedonalja e Tiranës, vend të cilin e zbukuron duke dhuruar jetë me ngjyrat dinamike e të larmishme të kompozimeve të saj.

Adi kishte mbledhur edhe nga komshinjtë rreth shtepisë së saj ndihma. Po, po edhe nga ai që shet në një cep të lagjes fruta-perime, edhe nga Fredi, pronari i lokalit poshtë shtëpisë së saj, e nga shumë tëe tjerë.

Shume të emocionuara nisemi drejt Thumanës, duke mos ditur ku ndodhej e çfarë na priste.

Ecja avash pasi tërmetet ishin pjesë e jona e pandashme, edhe pse tronditja me e madhe kish kaluar. Kur papritur doli edhe tabela qe tregonte drejtimin në krah të djathtë “Thumane” . Nuk e kisha vënë re më parë që siper tabela kish të shkruar Shkodër, Lezhë e më poshtë Thumanë. Erdhëm goca, i them bashkëudhëtareve të mia.

U kthyem djathtas dhe rruga filloj të ngushtohej, vazhduam me tej ku në të dy krahët e rrugës na shoqëronte një tapet jeshil bari . Kur një mur shtëpie i rënë u duk, më tej xhamia e Thumanës e cila kish pëesuar krisje në muret e saj dhe të minares, që qendronte e dëshpëruar mes trishtimit.

Po njerëzit si munden vallë të parkojnë makinat poshtë minares së dëmtuar pyetëm njëra-tjetrën, por pa pergjigje vazhduam kur para u shfaq nje polic.

“Përshëndetje zoteri, u lodhët?” – e pyes.

“Nga pak faleminderit”, thotë.

“Kemi ushqime të ngrohta me vete të cilat dëshirojmë t’ua çojme banorëve të prekur nga tërmeti.”

“Po thotë” – kthehuni majtas.

Kur papritur shfaqet kampi me çadra të bardha. Parkuam makinën në krahun tjetër të rrugës ku ndodhej kampi. Rruga ishte e ngushtë dhe nuk doja të pengoja asnjë centimetër të saj, kur mendoja e shpresoja që urgjenca do të kalonte me të mbijetuar drejt spitaleve.

Pranë një shtëpie me muret e rëna nga tërmeti dukej që  hapësira ishte e mjaftueshme dhe aty prfundimisht lamë makinën. Zbritëm të katërta dhe pa asnjë fjalë, vazhduam për të gjetur hyrjen për në kamp.  Trishtimi, heshtja e dhimja për familjet e prekura nga tërmeti  na kishte mbërthyer fort. Gjetëm derën ku qëndronin policët.

“Kemi sjellë ushqime që mund të konsumohen tani, pasi janë të ngrohta” – u them.

“Futuni brenda  dhe flisni me atë zotërinë atje”, me thonë. U futëm dhe drejtohemi drejt tij,

I nervozuar bërtiste dhe një moment e ndërpres.

“Më falni, më drejtuan për tek ju! Kemi sjelleë ushqime të cilat duhet të konsumohen tani pasi janë të ngrohta.”

Ndërkohë një tjetër djalë vjen nxitimthi duke ngritur zërin e thotë: “Unë jam përgjegjësi këtu.”

“Dakort, por për ne ka rëndësi të jepet ushqimi sa është i ngrohtë.”

Shohim se  si dhe ne këto momente hidhërimi, shfaqet maskilizmi i shoqërisë sonë, “Unë drejtoj këtu dhe ju them lërini këtu dhe ikni, unë jam edhe banor i Thumanës, dhe e di unë se çfarë bëhet”.

“Atëherë meqë ju jeni dhe banor këtu a mundet ju lutem të na ndihmoni me disa djem që të ngrejmë ushqimet pasi jemi 4 vajza dhe eshte e pa mundur t’i sjellim të gjitha vetë.”

Po me atë lloj prepotence nuk dha asnjë përgjigje dhe u largua.

Nje djalë tjetër na drejtohet me mirësjellje e na falenderon që kishim marrë rrugën për të ardhur në Thumanë për ta.

“Goca faleminderit shumë që jeni ketu, mos ia vini re pasi të gjithë duan të marrin role drejtues edhe kur si takon, unë jam ketu në kamp me familjen time dhe ju shpreh mirënjohje pafund që jeni këtu.”

I thërret shokëve të tij dhe u mblodhën 6 djem të cilët nuk i kalonin të 20-tat. Na ndihmuan të çonim ushqimet të gjitha në kamp. Edhe pse dëshira jone ishte të kishim mundësi e t’u shërbenim vetë banorëve te kampit, nuk na u lejua dhe ne e respektuam këtë rregull duke vazhduar të takonim disa nga banorët.

Vura re dy zonja, të cilat përveçc lodhjes e përkushtimit për t’u qëndruar pranë banorëve të kampit, kishin harruar të pinin edhe një gllënjkë ujë. U afrohem dhe shikoj se ishin zbardhur si ato skulpturat e ftohta të mermerit.

“Lika, Tina, jeni mirë?”

Nje pyetje e cila në fakt nuk donte përgjigje në ato momente tek shihje dëshpërimin në sytë e tyre, por edhe energjinë që përcillnin këto zonja heroina për t’i ardhur në ndihmë gjithkujt që gjendej atje. Na prezantuan me infermieren e kampit, të cilën e pyetëm se me çfarë mund të ndihmonim.

“Kemi nevojë per pjesë të higjienës personale për gratë e vajzat e kampit. Për të brendshm, lines ditor e mujor. Janë urgjente, por gratë e vajzat këtu nuk kërkojnë. U vjen zor, janë të ndrojtura për të kërkuar.”

“Pa merak, ne do kthehemi në Tiranë dhe nesër do t’ju a sjellim të gjitha çfarë ju nevojitet.”

“Unë quhem Dallëndyshe” thotë!

“Po ti vetë si je? Ke pushuar? Ke ngrënë?”

“Jo, jam pa ngrënë dhe pa pushuar.”

“Pse nuk shkon te hash diçka të ngrohtë pasi në këtë gjendje nuk mundesh t’i shërbesh dhe as ti vish në ndihmë kampit”, i them.

“Atje ka burra!”

“Edhe?”

“Nuk mund të shkoj.”

“Hajde se do të shoqëroj unë atje, ti nuk mund të qëndrosh pa ngrënë.”

Nje djalë afrohet në ato momente dhe shprehet se ishte i biri i Dallendyshes.

“Të lutem mos e lër mamanë pa ngrënë, shoqëroje tek çadra e parë pasi ka ushqime të ngrohta. Kujdesu per të, pasi ka nevojë për mbështetjen tënde.”

Të buzëqeshur vazhduan për te çadra që i sygjeruam.

Me gocat dolëm jashtë kampit  ku dëshpërimi dhe dhimbja do na shoqëronte kudo. U afruam tek pallatet e rrënuara nga tërmeti, o Zot çfare dëshpërimi, ankthi e frike.  Fillova të bëja foto tek njëri prej tyre i cili mezi mbahej në këmbë edhe ajo pjesë që i kish mbetur. Në krahë kishte një godine 1 katëshe të gjatë e cila thuhej se ish përdorur për stallë lopësh.

Në qendër të këtij sheshi midis godinave qëndronin mbeturinat e pallatit të rënë. Çfarë trishtimi. Nuk munda të beja më foto edhe pse isha pranë rrënojave, nuk doja të shkelja pikërisht ato të cilat kishin marre jetë njerëzish një ditë më parë, e që kishin të tjerë poshtë tyre.

Eca pak më mbrapa dhe u bashkohem mikeshave të mia, kur një grup njerëzish afrohen nxitimthi. S’po kuptonim kush ishte. Ishte Hashim Thaçi, i cili iu bashkua dhimbjes së banorëve të Thumanës.

Qeni i ekipeve të shpëtimit filloj të lehte, qetësi. Sa e frikshme ajo lloj qetësie, ankth. Menduam se qeni identifikoi një tjetër banor poshtë rrënojave. Shpresojmë të jetë gjallë.

Lutje pa fund për të, nga të gjithë. E ndërkohë, kur të gjithë luteshim e shpresonim per të mbijetuarit, një tërmet bëri tokën të ulërinte si një bishë e tërbuar. Në ato sekonda u kthyem duke parë mos kishim ndonje shtyllë pranë, dhe a ishim të gjithë mirë.

“Mos lëvizni – u drejtua një zotëri – mos lëvizni, qëndroni aty ku jeni.”

Toka vazhdoi disa sekonda të lëvizte dhe ulërinte si e tërbuar.

“Pushoi! Pushoi!”

Atë çast copa betonësh u shkëputën sërisht nga pallati i rrënuar që ndodhej jo më shumë se 10 metra larg nesh, duke u tramatizuar edhe më shumë atë moment. Këmbët s’po na bënin të lëviznim, e duart po na dridheshin, zemra na rrihte kaq fort sa dhe frymë nuk po merrnim dot. Ecëm pak metra më tutje, edhe pse këmbët nuk na bindeshin.

“Do qëndrojmë këtu i drejtohem grupit tim, deri sa të qetësohet situata e më pas do kthehemi.”

Çfarë ankthi në sytë e tyre, pasi veten nuk e shihja dot. Vëllai im ishte jashte Shqipërisë ato ditë, i merakosur për situatën flisnim vazhdimisht, por ato momente telefoni nga ai nuk pushonte, por ishte e pamundur të lidhesha me të pasi kishte shkëputje të valëve.

Doja t’i telefonoja bashkëshortit tim për ta pyetur a ishte mirë, duke ditur që zyra e tij ndodhet në katin e 15 të një kulle dhe shqetësimi ish edhe më i madh. Ndërkoëe babai! Mamin e kisha me vete. Grua e fortë, dhe pse gjithë ajo tronditje mundohej të qetesonte Klejdin e cila nuk pushonte se dridhuri.

Aty pranë ishte edhe Dalina e cila kishte ardhur me vajzën e saj. – Zemër mirë je? Sytë bojeqielli të saj shkëlqenin si një engjëll mes nesh duke na ndrcicuar me pafajësinë e saj. U ndamë e vazhduam drejt makinës,  pasi nuk donim të na zinte nata rrugës e nën shoqërine e tërmeteve të tjera.

Hipëm në makinë edhe pse të tronditura, pimë ujë dhe qëndruam edhe për disa minuta pasi shiu kish filluar të na shoqëronte gjithashtu.  U munduam të qetësonim njëra-tjetrën me batuta, edhe pse mendja na rrinte tek ata njerez të cilët qendronin në kamp nën terrorrin e tërmeteve, dëshpërimit të njerëzve që gjendeshin ende nën rrenoja dhe emocioneve të forta që mundoheshim të fshihnim.

U nisëm drejt Tiranës duke telefonuar çdo mik e mikeshë, duhet të mblidhnim ato çfarë gratë e vajzat e kampit kishin nevojë imediate. Nuk ka më nevojë për ushqime informonim, pasi nga Kosova dhe e gjithë Shqipëria, kanë sjellë me kamiona dhe gjendja është normalizuar persa i përket ushqimeve. Kemi nevojë per veshmbathje dhe çdo gjë që ka të bëjë me higjienën personale.

Ajo ditë vazhdoi deri në orën 3 të mengjesit duke kontaktuar me njerëz dashamirës, me zemër të madhe e të ndjeshëm të cilët na u bashkuan per t’i ardhur në ndihmë vajzave e grave të Thumanës ato momente.

Mëngjesi i datës 28 Nëntor na gjeti një grup vajzash e grash, pranë zyrave të “Tirana Art”, të cilat jo vetem sollën ato çfare kishim kërkuar mbi nevojat në kamp,  por edhe të holla të cilat u përdorën per të blerë veshmbathje, letra të lagura, lines etj.

Marloni  e Adel, sërish erdhi duke dhuruar lodra për femijët, veshje etj. Dera e bagazhit të makinës thuajse nuk u mbyll nga kutitë me materialet që nevojiteshin për në Thumanë. U nisëm! Papritur në Kamëz bie tërmet. Hapim krahun e shohim që ishte  5.2 balle shkalla Rihter. Qëndrojme edhe disa momente e vazhdojme sërisht drejt Thumanës.

Arritëm në kampin e Thumanës, ku kërkuam ndihmë nga djemtë për të shkarkuar materilat  të cilat ishin kërkuar një ditë më parë.

Tina, na udhëzoi për shpërndarjen e tyre në çdo çadër ku kishte vajza e gra. Stafi i Qëndrës “Tirana Art”dhe vullnetarë të tjerë të cilët iu bashkuan kësaj nisme filluan shpërndarjen e mjeteve të nevojshme.

Gjate shpërndarjes së mjeteve vumë re një solidaritet midis grave dhe vajzave të kampit. Shpesh ndodhte edhe kështu, ku vajzat shpreshin, “Jepjani atyre që nuk kanë, pasi unë mund të bëj edhe sot pa to”, siç ndodhte edhe ndryshe…

Ishte punë e vështirë,  e ndjeshme. Edhe vetë terreni e moti nuk ishin në favorin tonë, duke e bërë punën edhe më të vështirë.

Nuk po ndjenim asnjëra nga ne, që ishim të lagura nga shiu dhe të ftohura pasi bekimet dhe falenderimet e grave dhe të vajzave të kampit na bënin më të forta dhe të lehtësuara për të vazhduar më tej punën tonë.

Shihnim njerëz të tronditur, të rraskapitur, të stresuar pa lënë mënjanë vullnetarët të cilët i ishin bashkuar kampit në këto ditë të vështira.

Të lodhur dhe të shqetësuar nga situata që na rrethonte, harruam se asnjëri nga ne, nuk kishte pirë asnjë pikë ujë . Të gjithë vullnetarët, drejtuesit e kampit ishin të disponueshëm të shërbenin pa lodhje, me orë te zgjatura deri pas mesnate.

Nderkohë që tërmetet na shoqëronin vazhdimisht, shiu nuk pushonte, ra nata. Në këtë moment menduam teë pinim një çaj e të pushonim për disa minuta. Por edhe në lokalin e vetëm të Thumanës lëkundjet na shoqëruan pa u ndalur. Ky ambient ishte i mbushur plot me djem e burra, ku njëherazi sytë e tyre u kthyen të çuditur sikur donin të na thonin ”Po ju vajza ç’doni këtu?”

Ftuam një nga drejtueset e kampit të na bashkohej  për të pushuar disa momente me ne, pasi morëm vesh që ajo nuk ishte larguar nga kampi edhe një natë më parë.

Ishte vonë kur u nisëm për në Tiranë, gjatë gjithë rrugës familjarët na telefononin duke na njoftuar për tërmete te tjera e porositur mos të ecnim por të ndalnim disa çaste sa të qetësoheshin tërmetet.

Në ditën pasuese, stafi i Qendres “Tirana Art”, u organizua për të mbledhur ndihma për në Shijak. Morëm informacione që edhe në Shijak kishte kërkesa për veshmbathje për gratë e vajzat. Gatishmëria për të mbledhur ndihma të lë pa fjalë.

Orët e para të datës 30 nëntor, na gjetën në Shijak. Pasi u shperndanë mjetet e nevojshme për gratë e vajzat, mblodhëm fëmijët për t’i tërhequr nga diskutimet stresuese të familjarëve te tyre.

Shtruam tapetet e dhuruar nga Nasta, hapëm kartonat e shpërndamë bojërat për fëmijët duke nisur punën kreative me ta. Në sytë e femijëve pamë gëzim që në momentet e para që morën në dorë lapustilat me ngjyra. Me sa pak ne mund t’u kthejmë fëmijëve buzeqeshjen, t’u dhurojmë momente gëzimi dhe emocione pozitive. Interesante ishte që të gjithë fëmijëet pikturuan shtëpi.

I pyes – “Përse po pikturoni shtëpi?”

Ata përgjigjen “Ne s’kemi shtëpi, na i prishi tërmeti”.

Gjatë momentit të argëtimit të fëmijëve, u vu re që jo vetëm fëmijët por edhe prindërit u shkëputën nga realiteti i hidhur.

Stafi i Qendrës “Tirana Art”, nuk do ndalet, do të vazhdojë më tej me mbledhjen e mjeteve të piktures, libra si dhe lodra për fëmijë. Do të jemi vazhdimisht në terren për t’u përditësuar me nevojat e të prekurve nga tërmeti, sidomos nevojat e grave dhe vajzave, të cilat në një shoqeri maskiliste nuk guxojnë të kërkojnë ato që kanë nevojë.

Faleminderit të gjithë ju që u bashkuat me ne, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, pa hezituar në asnjë moment.

Kurse ju të tjerëve që komentoni pa bazë, nga divani i ngrohtë i shtëpisë tuaj duke paragjykuar e dhënë mend, duke mos ditur realitetin e vërtetë të punës së palodhshme, përkushtimit, dhimbjes, në emër të respektit për jetën dhe humanizmin, do ju ftoja të bëheni më të ndjeshem, me socialë dhe pse jo të jeni pjesë dhe të solidarizoheni bashkë me ne.

Vetëm ne mund të bëjmë shumë pak, por bashkë mund të bëjmë më shumë! Eshte kontributi im i vogël i shpresës për tokën që unë adhuroj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *