Vendosni fjalën kyçe....

Tendat fusin ujë në kampin e ngritur në Manëz, prindërit kërkojnë mjekë për fëmijët


Situata duket e rëndë në tendat e vendosura në fshatin Manëz, ku janë vendosur disa familje. Kampi është ngritur që prej të hënës por nuk ka shkuar asnjë mjek për t’i vizituar. Disa familje qëndrojnë në të njëjtën tendë, me një apo dy krevate vetëm dhe me tendën që ka vrima dhe fut ujë brenda kur bie shi. Prindërit nuk kërkojnë vetëm ushqime, por edhe mjekë që t’i vizitojë fëmijët e tyre të sëmurë.

“Tani po u bëj thirrje emisioneve, që të vijnë të shohin se ku rrinë. Çunin 11-vjeç e kam me probleme. Vetë i 9 jetojmë këtu ne. Dy dyshekë kemi dhe i kanë sjellë ata të aeroportit të Rinasit. Flemë në këto batanijet këtu.”- tha një nga banorët.

Nuk jam i zoti, unë kam nevojë edhe për bebelina. Nga trembja, fëmija ka filluar të urinojë natën. Nuk është problemi për rroba, por për ushqim për fëmijët.  Përjashto xhaminë e Vorës që ka ardhur ka sjellë ushqim mbrëmë. Nga ana e shtetit, s’ka vënë dorë kush. Kemi 6 ditë me këmbë në baltë, në ujë. Kemi gjashtë ditë, pa u larë, pa u ndërruar, pa asgjë. Ju lutem fondacioneve se jemi në gjendje katastrofike.”– tha një tjetër banor në një prononcim për “News 24”.

Një tjetër banore ka treguar se është detyruar të futet brenda në banesën e dëmtuar, pavarësisht rrezikut, për të marrë mbulesa apo rroba për fëmijët e saj.

“Ne jemi katër familje në këtë tendë, jetojmë 9 persona. Flejmë mbi gjithçka. Kemi disa jorgane, i shtrojmë poshtë. Shiu që bie hyn brenda. Ne detyrohemi të hymë në shtëpi dhe pse na kanë thënë mos të ikim, por kishim nevojë për të mbuluar fëmijët. S’kemi as doktor.  E kam fëmijën duke vjellë nga katër ditë. I bëjmë thirrje, kush do që të na ndihmojë të vërë dorën në zemër për këto fëmijë.”– tha zonja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *