Kompania “Albcrome” e Samir Manes, ka pushuar nga puna një tjetër anëtar të sindikatës së re të Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Ai quhet Beqir Duriçi dhe është anëtar i Këshillit Sindikal dhe Përgjegjës i Financave të SMBB-së.
“VAZHDOJNË SULMET E ALBCHROME NDAJ SINDIKATËS: PUSHOHET PADREJTËSISHT NGA PUNA BEQIR DURIÇI, ANËTAR I KËSHILLIT SINDIKAL
E shurdhër ndaj kërkesave të minatorëve, sot kompania Albchrome ka pushuar nga puna Beqir Duriçin, anëtar i Këshillit Sindikal dhe Përgjegjës i Financave të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Pushimi i Beqirit është në shkelje të plotë të ligjit dhe vjen si rezultat i aktivitetit të tij sindikalist.
Kompania e Samir Manes e ka humbur toruan nga greva dhe kërkesat e drejta të minatorëve.
Kush mendon se do të na thyejë me presion dhe paligjshmëri, e ka gabim. Vetëm sa forcohemi në rezistencën tonë për punë dhe jetë të dinjitetshme.
Ktheni në punë Beqir Duriçin!
Ktheni në punë Elton Debreshin!
Plotësoni kërkesat e minatorëve!”- thuhet në një njoftim të sindikatës.
Minatorët në Bulqizë kanë dalë sërish në protestë sot ende pa gdhirë mirë dita, për të kërkuar jo më vetëm kthimin në punë të kryetarit të sindikatës Elton Debreshit, por edhe të Beqir Duriçit.
SMBB prej ditësh tashmë akuzon kompaninë se po u ushtron presion punonjësve të saj që janë anëtarësuar në këtë sindikatë.
Protestuesit kërkojnë paga më të mira, pagesë për ditët e bojkotit dhe po ashtu ndalim të presioneve.