Një mision i Bashkimit Evropian po viziton Maltën për të “hetuar sundimin e ligjit”, si rezultat i hetimeve për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.
Vrasja e zonjës Caruana Galizia në vitin 2017 ka tronditur institucionet e vendit, dhe nxori në pah shqetësime mbi korrupsionin dhe sistemin e dobët gjyqësor.
Ekziston një ekzaminim në rritje skemës së “pasaportave të arta”, që sipas delegacionit të Parlamentit të BE-së po rrezikon “importimin e kriminelëve dhe pastrimit të parave në të gjithë BE-në”.
BBC shkruan se shitja e shtetësisë është bërë një treg i madh global për individë të pasur që kërkojnë taksa të ulëta, arsim elitar ose për arsye politike.
Si e blini shtetësinë malteze?
Qeveria prezantoi skemën në vitin 2014 për të tërhequr investime në vend. Për të marrë një pasaportë malteze, aplikantët duhet të kontribuojnë:
-650,000 euro për një fond kombëtar zhvillimi
-150,000 euro në aksione Malteze
-Blejnë një pronë me vlerë të paktën 350,000 euro (ose marrin me qira një për 16,000 euro në vit)
Aplikantët gjithashtu duhet të kenë statusin e rezidencës për më shumë se 12 muaj, megjithëse nuk u kërkohet të jetojnë fizikisht atje.
Ka pasur 833 investitorë dhe 2,109 familjarë që kanë marrë nënshtetësinë Malteze që kur u fut në përdorim kjo skemë.
Numri i pasaportave të arta Malteze
Midis mesit të vitit 2017 dhe mesit të 2018-ës, skema mblodhi 162,375,000 euro që barazohet me 1.38% të PBB-së së Maltës në atë periudhë, edhe pse në 2018-ën kishte një rënie në blerjen e pasaportave.
Ekziston një nxitje e qartë për vendet e vogla si Malta të kenë skema si kjo për të tërhequr sasi të konsiderueshme investimesh.
Kush po i blen pasaportat Malteze?
Qeveria malteze nuk jep informacione për vendet e origjinës së atyre që kërkojnë “pasaporta të arta”, por jep informacion për rajonin.
Evropa është rajoni më i zakonshëm i origjinës i ndjekur nga Lindja e Mesme dhe rajoni i Gjirit, dhe Azia.
Sidoqoftë, vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të publikojnë shifra të blerjeve vjetore të shtetësisë, pra të kujt është bërë shtetas në atë vit.
Pas futjes së kësaj politike në Maltë në vitin 2014, pati një rritje të numrit të qytetarëve të natyralizuar nga Arabia Saudite, Rusia dhe Kina.
Për shembull, Arabia Saudite nuk kontribuoi asnjë qytetar të natyralizuar para vitit 2015, por që nga atëherë ka pasur më shumë se 400.
Ka arsye të ligjshme për të kërkuar një pasaportë tjetër, por ka pretendime që sistemi Maltez është duke u abuzuar.
Komisioni Evropian publikoi një raport në janar 2019 ku thuhej se kishte shqetësime për skemën e Maltës, e cila ishte “më pak e rreptë” sesa vendet e tjera të BE-së.
Për shembull, aplikantët nuk janë të detyruar të kenë qëndrim fizik dhe nuk ka asnjë kërkesë për të pasur lidhje paraprake me vendin.
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) lëshoi një raport në vitin 2018 që renditi në listën e zezë Maltën si një vend në rrezik të lartë të evazionit fiskal për shkak të skemës së tij të “pasaportës së artë”.
Në BE, Qiproja dhe Bullgaria kanë skema të ngjashme.
Midis vitit 2008 dhe 2018, Qipro u dha nënshtetësi 1,685 investitorëve dhe 1,651 anëtarëve të familjeve të tyre. Edhe pse në nëntor, vendi ia hoqi 26 investitorëve “pasaportat e tyre të arta” duke përmendur “gabime” të bëra në përpunimin e tyre.