Vendosni fjalën kyçe....

Rama premtime nga Londra: Asnjë gërmadhë e mbetur për vit të ri, në vend të tyre parqe kujtese


Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se rrënojat e mbetura pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit në Durrës e në Thumanë, duhet të jenë të pastruara për vit të ri.

Në vend të tyre, Rama thotë se do të ketë disa parqe përkujtimore të tragjedisë ku humbën jetën 51 persona.

“Viti i Ri s’duhet të gjejë asnjë rrënojë dhimbjeje të papastruar në Durrës e Thumanë dhe në vend të tyre, duhet të sjellë edhe disa parqe të kujtesës së kësaj tragjedie”– shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama së bashku me liderët e shteteve dhe të qeverive të tjera, ndodhet në Londër ditën e sotme me rastin e 70-vjetorit të krijimit të NATO-s.

Kujtojmë se ditën e djeshme, Rama pranoi se kishte ndërmend t’i kthente tokat në zonat rurale në pronë të shtetit, në rast se pronarët e tyre të cilëve iu janë shembur shtëpitë, pranojnë të vendosen në apartamente në Tiranë.

“Të zgjidhim punën për zonat rurale. Aty duhet bërë një ndarje. Kush janë familjet që duan të ikin, t’i fusim në pjesën që do të stabilizohen me apartamente. Por nëse do të ikin, do të dorëzojnë tokën. Historia që po iki të marr një apartament dhe të mbaj këtej edhe këtë tjetrën nuk do të funksionojë.

Do të kemi shumë kujdes nga këto lodrat e dyfishta që ne si popull kemi një talent të veçantë me thënë të drejtën, ta themi këtë gjë. Ata që do rrinë, të gjithë do futen nëpër tenda dimërore.”– tha Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *