Vendosni fjalën kyçe....

Kryeprokurori i ri, rezoluta anti-ruse dhe buxheti – Tre çështjet për të cilat do vendoset sot në Kuvend


Sot mbahet seanca e radhës plenare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Deputetët pritet të zgjedhin sot Prokurorin e Përgjithshëm nga lista e dërguar sipas renditjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ligjvënësit do zgjedhin një nga tre kandidatët për kryeprokuror.

Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë me 84 vota një nga tre kandidatët atëherë automatikisht zgjidhet i rendituri i pari në listën e KLP-së.

I pari që kryeson listën e KLP është prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela me 459 pikë, më pas vjen Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku me 406 pikë dhe prokurorja e Prokurorisë së Apelit Tiranë, Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Sot në Kuvend pritet të diskutohet edhe për faturën e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Deputetët pritet të miratojnë disa ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore pasi synohet që nëpërmjet aktit normativ të përcaktohen dy kategori personash përfitues ndër të dëmtuarit. Po ashtu do të votohet dhe për dhurimin e 17 apartamenteve në pronësi të bashkisë së Tiranës për banorët e dëmtuar nga tërmeti.

Buxheti për vitin 2020 do miratohet me shumicë të thjeshtë, por mund të pësojë ndryshime thelbësore në komisionin e Ekonomisë. Si pjesë e buxhetit do parashikohet edhe një fond që do shkojë për rindërtimin e banesave. 

Sot deputetët pritet të votojnë dhe projekt rezultotën anti-ruse për financimin e partive politike gjatë periudhës së zgjedhjeve.

Lidhur me këtë projektrezolutë pati një reagim dje nga Ambasada e Federatës Ruse në vendin tonë. Ajo i quajti sulme të pajustifikuara dhe të pabazuara të cilat shkojnë në kundërshtim edhe me qëllimet e OSBE-së, ku Shqipëria dhe Rusia janë anëtare me të drejta të plota.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *