Që herët në mëngjes, forca të shumta policie kanë shkuar përsëri sot në Qytet Studenti, për të nxjerrë banorët nga godina nr.15, e cila është shpallur si e pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ndërsa mbrëmjen e kaluar kundërshtuan të dilnin, banorët sot kanë nisur të mbledhin gjërat e tyre por shprehen se nuk dinë se ku të largohen. Ata thonë se nuk u është dhënë mjaftueshëm kohë për të marrë sendet e tyre dhe për të gjetur një ambient tjetër me qira, pasi vetëm dy ditë më parë ndërtesa është vlerësuar si e pasigurtë.
Në këtë godinë nuk jetojnë studentë, por rreth 220 banorë të cilët jetojnë aty me qira mujore. Bashkia u ka ofruar atyre një bonus qiraje, por ende nuk dihet se sa përfshin bonusi. Godina pritet të evakohet dhe të shembet deri sonte në darkë.