Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 7 numri i të arrestuarve për atentatin ndaj Inez Hajrullës


Tre persona të tjerë janë vënë në pranga si të dyshuar për atentatin e ndodhur në maj të vitit 2019 në zonën e Ujit të Ftohtë.

Dy prej tyre janë kapur në Itali ndërsa njëri është kapur në Vlorë.

“Në Vlorë, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Xh. M., 36 vjeç, lindur e banues në Vlorë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahja e autorit të krimit” .

Operacioni ka vijuar në Itali, ku si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe Interpol Roma, bashkëpunimit të shkëlqyer mes Zyrave Ndërlidhëse të Policisë shqiptare në Bari e Romë në Itali dhe të Policisë italiane në Tiranë, me angazhimin e Skuadra Mobile në Romë është bërë e mundur kapja e dy personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në afërsi të Romës, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë dhe konkretisht:

I.M., 31 vjeç dhe G. D. (Z.), 42 vjeç, të dy banues në Vlorë;

Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim e shtetasit F. H. dhe vijon puna për kapjen e tij.

Ndaj shtetasve I. M., G. D. dhe F. H., Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 14.11.2019 janë arrestuar edhe 4 shtetas, ndërsa 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë.“- thuhet në njoftimin e policisë.

Shënjestra e atentatit të 10 majit dyshohet se ishte Inez Hajrulla, por mbeti i plagosur aksidentalisht 63-vjeçari Dajko Canodemaj. Pas atentatit u arrestua edhe Ines Hajrulla i cili dyshohet se ka qenë shënjestra, për arsye se gjatë përplasjes ka qëlluar edhe ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *