Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi – Ramës: Paratë për oligarkët nuk janë palca e buxhetit, por dhjami i derrave të kënaqun


Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas refuzimit  të kryeministrit Edi Rama për të mos anuluar PPP-të.

Vokshi e konsideron absurd qëndrimin e Ramës, që nga një anë të huave u kërkon ndihma monetare, ndërsa nuk pranon të anulojë 150 milionë dollarë pagesa për disa biznesmenë.

“Paratë për oligarkët nuk janë palca e buxhetit, por dhjami i derrave të kënaqun

Absurdi i Edi Ramës është se nga një anë u kërkon aleatëve të huaj fonde për rindërtimin pas tërmetit, nga ana tjetër nuk pranon të anullojë 150 milionë Dollarë pagesa për disa klientë të vet, që na vjedhin me koncesione të fryra dhe abuzive.

Vetëm në shëndetësi, të cilës i është referuar edhe sot, Edi Rama paguan 4 koncesione me 380 milionë euro. Njësoj sic mbron njeriu mallin e vet, ashtu edhe Rama mbron koncesionin e checkup-it, i cili është një nga dështimet e skandalet më të mëdhaja.”- shkruan Vokshi.

Ish-deputetja e PD-së sulmon në veçanti koncesionin në shëndetësi të Check Up-it të fituar nga Vilma Nushi. Po ashtu ajo kundërshton vendimet që kanë qarkulluar në rrjet ditët e fundit, ku mësuesve dhe policëve u kërkohet të dhurojnë një pjesë të rrogës për fondin e rindërtimit të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Check up, koncesioni që ka nxjerrë edhe burrat shtatzanë, është denoncuar jo vetëm nga qytetarët por edhe nga mjekët si shkatërrimtar për sistemin. Qytetarë që torturohen; mjekë që kërcënohen, shfrytëzohen e penalizohen, i vetmi person që përfiton nga Check up është financuesja e PS, Vilma Nushi.

Në shkelje të ligjit, nga ky koncesion Vilma ka përfituar rreth 15 milionë euro për mbi 500 mijë analiza check up të pabëra asnjëherë e për pagesa abuzive të paligjshme të tatimit mbi vlerën e shtuar.

Kjo është kontrata skandaloze që ka lidhur Edi Rama me Vilma Nushin.

Vendimet e Edi Ramës janë të padenja për një kryeministër normal. Ai nuk pranon t’ua heqë fondet oligarkëve të vet, por urdhëron vjedhjen e rrogës nga llogaritë e 34 mijë mësuesve dhe 18 mijë policëve për t’ia çuar fondit të rindërtimit.

150 milionë dollarët e pagesave vjetore të koncesioneve të oligarkëve, me të cilët konsumon verëra 500 mijë lekë shishja, nuk janë “palca e shtyllës kurrizore të buxhetit”. Janë vetëm dhjami i një grushti derrash të kënaqun, që vjedhin pa pushim, edhe kur vendi është goditur nga një fatkeqësi e rëndë.”– shton ish-deputetja.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *