Një zjarr ka shpërthyer në një kamp refugjatësh në ishullin Lesbos në Greqi duke shkaktuar edhe një viktimë, raportojnë autoritetet në vendin fqinj.
Departamenti i zjarrfikësve tha se zjarri shpërtheu para agimit të së enjtes, në kampin Kara Tepe.
“Ekipet e zjarrfikësve u përgjigjen menjëherë”, tha departamenti.
Ende është e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Greqia vazhdon të jetë në vijën e parë të krizës së migracionit në Evropë dhe në periudhën e fundit ka pasur një rritje të numrit të migrantëve që hyjnë në territorin grek nga Turqia.
Migrantët janë kryesisht nga zonat e konfliktit në Lindje të Mesme.
Qeveria ka thënë se planifikon të transferojë 20.000 azilkërkues nga ishujt deri në fund të vitit, në objekte të tjera, shkruan Rel.
Më 28 nëntor, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi kritikoi kushtet në kampin e migrantëve në Lesbos të Greqisë.
“Kushtet në të cilat jetojnë njerëzit janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ekziston një ndjenjë e madhe dëshpërimi dhe mungesa e perspektivës e vështirëson situatën”, tha Grandi.