Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Klauzolë të veçantë për shpifjen në ligjin e posaçëm për rindërtimin, e miratojmë me 19 dhjetor


Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar nga ministres së Drejtësisë dhe komisionit të Ligjeve që të pregatisin brenda datës 19 dhjetor një ligj të posaçëm për rindërtimin pas tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor. Ai shtoi se ky ligj duhet të ketë një klauzolë të veçantë për ligjin e antishpifjes.

 “Në fund kam tre gjëra. Së pari Klotilda Ferhati në emër të komisionit të ligjeve, Etilda si ministre e Drejtësisë dhe Edlira nga kryeministria duhet të çojnë përpara procesin dhe të kenë draftin e ligjit të posaçëm për rindërtimin. E di që është koha e shkurtër. E di që proceset normale kërkojnë shumë më tepër kohë, por ju lutem shumë objektivi është që në datën 19 në seancën e fundit ne të çojmë ligjin e posaçëm për rindërtim me gjithë parametrat. Është shumë e rëndësishme që të kemi një ligj të posaçëm për rindërtimin. Mendoj që rindërtimin duhet ta koordinojë si agjenci Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Mendoj që duhet të përcaktojmë një klauzolë të veçantë në ligjin e antishpifjes që besoj do të hyjë në seancë në datën 19 më në fund për gjendjen e jashtëzakonshme. Shpifja në gjendjen e zakonshme është e dënueshme, shpifja në gjendje të jashtëzakonshme duhet të jetë e superdënueshme. Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike në situata si kjo që kaluam, janë kriminale. Mjafton rasti i Durrësit, një lajm kriminal i shpërndarë se po bie spitali i Durrësit, solli një të vdekur, pa llogaritur kaosin dhe të plagosurit në përpjekjen për të ikur me vrap nga spitali. Spitali nuk kishte asgjë. Janë gjëra që duhet të dënohen fort”– deklaroi Rama.

Ai shtoi se sot do të udhëtojë drejt Bratislavës për marrjen e Presidencës së OSBE-së dhe nesër do të jetë në Turqi për konferencën e organizuar nga Presidenti i Turqisë Erdogan me donatorët për Shqipërinë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *