Vendosni fjalën kyçe....

Kërkohej në Kosovë, arrestohet 56-vjeçari në Fier, në pranga dhe i biri


Një 56-vjeçar është arrestuar sot në Fier, pasi dyshohet për krim të organizuar dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Personi me inicialet A.I, rezultonte në kërkim ndërkombëtar për këto vepra dhe pritet të ekstradohet në Kosovë.

Në kuadër të të njëjtit operacion, të koduar si “Rrjeta” u arrestua edhe një 33-vjeçar, djali i 56-vjeçarit të përmendur më lart. Ai akuzohet për mbajtje të armës pa leje.

DETAJET E POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjeta”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Krim i organizuar”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm”.

Gjatë operacionit, u kap me armë zjarri me vete dhe u arrestua në flagrancë edhe djali i këtij shtetasi.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Interpol Tirana, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Rrjeta”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

A.I., 56 vjeç, banues në Fier.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka dërguar urdhër-arresti për veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm”.

Gjithashtu, gjatë operacionit, në ambientet e një lokali në Fier, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

A.I., 33 vjeç, banues në Fier.

Nga kontrolli personal i ushtruar, 33-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë, një krehër me 15 fishekë dhe një mjet prerës (biçak), të cilat ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të 33- vjeçarit A. I., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *