Kryeministri Edi Rama ka pranuar në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, se nuk do të ketë fonde për shpërblime me rastin e Vitit të Ri. Ai po ashtu mohoi zërat se ka detyruar punonjësit e administratës të dhurojnë një pjesë të rrogës së tyre me detyrim. Rama thotë se çdo gjë është bërë në mënyrë vullnetare.
“Edhe diçka që lidhet me vendimin që do kalojmë një ndryshim në vendimin nr. 929 për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë të ndryshuar. Është një vendim që ndalon rreptësisht përdorimin e fondit të veçantë për vitin buxhetor për veprimtari social kulturore dhe shpërblime punonjësish në institucione për Vitin e Ri, ato që bëhen zakonisht. Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhurim, kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, punonjës. Refuzoj komplet shpifjen tjetër që ne paskemi detyruar gjithë punonjësit të japin lekë nga rroga se s’kemi lekë. Kjo është pavërtetë. Asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese. Të gjithë janë ftuar të japin kontribut vullnetar. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit këtij procesi, kryetarë bashkish bënë të njëjtën gjë, drejtues po ashtu, punonjësit jo të gjithë dhe nuk ka asnjë problem.
Askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucione publike të krijuar me ligj të posaçëm, nga institucione të qeverisjes vendore, njësi të fondeve speciale ndërmarrje e shoqëri tregtare me kapital mbi 50% shtetëror në varësi të institucioneve qendrore e vendore për Vitin e Ri, për darka e për valle, përkundrazi duhet të organizoheni të gjithë që gjitha institucionet të ndajnë një pjesë të kohës, të festave me njerëzit që janë atje, të shkojnë, t’i vizitojnë, të çojnë dhurata për Vitin e Ri për fëmijët”, deklaroi Rama.
Kështu këtë vit, mësuesit apo dhe pensionistët nuk do të gëzojnë atë fondin shtesë që marrin si shpërblim çdo fund viti.