Vendosni fjalën kyçe....

Rama e mohoi, Vokshi nxjerr dokumentin që detyron policët të japin para nga rroga


Pasi kryeministri Edi Rama mohoi të ketë detyruar punonjësit e administratës të çojnë një pjesë të rrogës së tyre për të prekurit nga tërmeti, ish-deputetja demokrate Albana Vokshi, ka publikuar një dokument që tregon të kundërtën.

Sipas dokumentit të publikuar nga Vokshi, jepet qartë urdhri që i detyron punonjësit e Policisë të japin para nga rroga.

“Sa më e madhe fatkeqësia, aq më intensive dhe e pamëshirshme makineria e propagandës së Edi Ramës që përmes mashtrimit nuk kursen askënd as fëmijë, as persona me aftësi ndryshe, as gra e të moshuar, as policë apo profesionistë.

Sot, Kryeministri Rama mashtroi përsëri kur tha që nuk i kanë detyruar punonjësit të japin lekë nga rroga e tyre. Po postoj eshe një herë Urdhërin e paligjshëm 1933, dr 27.11.2019 që urdhëron mbajtjen e pjesshme të pagave të policëve në Shkodër.

Duke keqpërdorur qëllimshëm vendosjen antikushtetuese të gjendjes së jashtëzakonshme, interesi kryesor i Kryeministrit këto ditë është të hapë sheshe ndertimi. Ndaj edhe s’u jep qytetarëve akt ekspertimin per shtëpitë e pallatet.”– shkruan Vokshi.

Rama pranoi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, se nuk do të ketë fonde për shpërblime me rastin e Vitit të Ri. Gjatë kësaj deklarate, ai mohoi dhe zërat se ka detyruar punonjësit e administratës të dhurojnë një pjesë të rrogës së tyre me detyrim. Rama thotë se çdo gjë është bërë në mënyrë vullnetare.

 “Edhe diçka që lidhet me vendimin që do kalojmë një ndryshim në vendimin nr. 929 për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë të ndryshuar. Është një vendim që ndalon rreptësisht përdorimin e fondit të veçantë për vitin buxhetor për veprimtari social kulturore dhe shpërblime punonjësish në institucione për Vitin e Ri, ato që bëhen zakonisht. Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhurim, kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, punonjës. Refuzoj komplet shpifjen tjetër që ne paskemi detyruar gjithë punonjësit të japin lekë nga rroga se s’kemi lekë. Kjo është pavërtetë. Asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese. Të gjithë janë ftuar të japin kontribut vullnetar. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit këtij procesi, kryetarë bashkish bënë të njëjtën gjë, drejtues po ashtu, punonjësit jo të gjithë dhe nuk ka asnjë problem.

Askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucione publike të krijuar me ligj të posaçëm, nga institucione të qeverisjes vendore, njësi të fondeve speciale ndërmarrje e shoqëri tregtare me kapital mbi 50% shtetëror në varësi të institucioneve qendrore e vendore për Vitin e Ri, për darka e për valle, përkundrazi duhet të organizoheni të gjithë që gjitha institucionet të ndajnë një pjesë të kohës, të festave me njerëzit që janë atje, të shkojnë, t’i vizitojnë, të çojnë dhurata për Vitin e Ri për fëmijët”, janë fjalët e Ramës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *