Vendosni fjalën kyçe....

U dëmtua nga tërmeti, Gjykata e Apelit të Durrësit zhvendoset në Kavajë


Tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit nuk i ka shpëtuar as godina e Gjykatës së Apelit në Durrës.  Përkohësisht kjo Gjykatë do të transferohet në Kavajë, në një godinë ku ushtron veprimtarinë dhe gjykata e rrethit të Kavajës.

Vendimi për transferimin është marrë sot nga Këshilli i Lartë Gjyqësor,  i cili ka lajmëruar transferimin si dhe ka kërkuar marrjen e masave nga gjykatat në fjalë për të krijuar kushtet për këtë transferim.

VENDIMI I KLSH

Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në nenet, 147/1, 147/a, pika 1 germa “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 61 të Ligjit nr.115/2019 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në Ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, në Ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë”, të ndryshuar, në Vendimin nr. 267, datë 02.12.2019 të Këshillit, “Për pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në gjykatat e qarqeve Durrës, Tiranë dhe Lezhë”, si dhe në kushtet kur godina e Gjykatës së Apelit Durrës është e papërshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë së saj,

V E N D O S I :

 Rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore të Gjykatës së Apelit Durrës. Transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës pranë godinës ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë.

Kryetari i Gjykatës së Apelit Durrës dhe kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë të marrin masa për krijimin e kushteve të duhura në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi.

Kryetarët e gjykatave nën juridiksionin e Gjykatës së Apelit Durrës, në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi të dërgojnë dosjet gjyqësore në selinë e re të përkohshme të Gjykatës së Apelit Durrës, si dhe të marrin masa për të garantuar aksesin në gjykatë duke informuar publikun për transferimin e përkohshëm të selisë së Gjykatës së Apelit Durrës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *