Vendosni fjalën kyçe....

Vasili ngre shqetësimin: Hartoni një plan sanitar, zonat e prekura nga tërmeti me potencial epidemik


Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, ka shprehur shqetësimin për hartimin e një plani sanitar, që sipas tij është vonuar nga qeveria pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit.

Sipas Vasilit, zonat e prekura nga tërmeti kanë një potencial epidemik për shkak të nyjeve sanitare të dëmtuara apo rrjetit të ujit e kanalizimeve.

“Kontrolli i gjendjes sanitare dhe në mënyrë të veçantë i qarqeve të prekura merr prioritet absolut e madhor. Në këtë situatë kërkohet dhe duhet të përpilohet hartimi i planit sanitar. E përsëri kërkohet hartimi i një plani sanitar. Ky plan sanitar ka disa momente thelbësore të tijat, që kanë të bëjnë me trajtimin rigoroz sanitar të zonave që po shkatërrohen. Kur objektet shkatërrohen kërkon një trajtim sanitar. Vetë objektet kanë nyje sanitare, rrjetet nëntokësore janë dëmtuar dhe këto zona kanë një potencial epidemik të mundshëm.
Kontrolli rigoroz i ujit të pijshëm dhe hartimi i buletineve ditore të ujit dhe duke imponuar një klorinim të përforcuar të zonave në ato zona që janë demonstruar vulnerabël apo të dëmtuar për shkak të tërmetit.

 Punonjësit në terren duhet të garantojnë që të mos iu cenohet skema e vaksinimit fëmijëve. Duhet të bëhet dhe të organizohet një kontroll i veçantë, i të gjithë të sëmurëve kronikë pjesë e familjeve të evakuara që në kushte të tjera, kanë rëndim të sëmundjes. Duhet të përcaktohet një sistem kontrolli sanitar i përditshëm dhe raportuar i vendqëndrimeve të improvizuara të cilat natyrshëm nuk janë vende të përcaktuara për grumbullime njerëzish dhe kontrolli i tyre do evitonte mjaft pasoja sanitare të dëmshme dhe të rënda për këto popullata

Mbajtja e këtij kontrolli sanitar ka rëndësi për të siguruar vendime e urdhrat e domosdoshëm dhe që gjendja e popullatës nga ana shëndetësore të jetë nën kontroll të plotë”– janë fjalët e nënkryetarit të LSI-së.

Vasili theksoi se të gjithë drejtuesit e shëndetit publik duhet të jenë në terren.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *