Anthony Joshua ka rifituar titullin kampion në botë, për peshat e rënda. Gjashtë muaj nga nata që trullosi boksin, Joshua arriti t’i rimerrte titujt e tij të IBF, WBA dhe WBO.
Siç shkruan BBC, boksieri anglez ka fituar super ndeshjen e zhvilluar në Arabinë Saudite kundër meksikanit, Andy Ruiz Jr, pas 12 raundeve.
Meksikani Andy Ruiz e kishte mposhtur para disa muajsh Joshuan me një fitore të papritur për shumicën e njerëzve duke i rrëmbyer titullin dhe tronditur botën e boksit. Historia e boksit nuk do ta harrojë kurrë atë që bëri Ruiz ndaj tij.
Gjashtë muajt e fundit nuk kanë qenë të qeta për Joshua, por ai arriti ta rikthente nderin e humbur. Edhe pse ndeshja nuk dha shumë emocione pasi të dy më shumë u mbrojtën se sa sulmuan, në fund ishte Joshua ai që grumbulloi më shumë pikë.
Ruiz nga ana tjetër të paktën do të largohet me një ditë pagese të lartë në karrierë, mbi 10 milion. Ai mund të jetojë pjesën tjetër të jetës së tij si një ish-kampion bote që trulloi boksin ose nëse do përsëri të luftojë për tituj, thjesht do të duhet të jetë më i mirë.